Administrata Tatimore e Kosovës (ATK), në bashkëpunim me organizatën gjermane GIZ, në një konferencë shtypi, kanë prezantuar rezultatet e anketës me tatimpagues për vitin 2017 lidhur me transparencën, efikasitetin, korrektësinë dhe shërbimet e ATK-së.
Rezultatet e anketës tregojnë se ka rritje të kënaqshmërisë së tatimpaguesve për shërbimet e ATK-së gjatë vitit 2017.
Drejtori i Përgjithshëm, Sakip Imeri, ka thënë se në të gjitha fushat ka rritje të kënaqshmërisë së tatimpaguesve ndaj ATK-së, raporton Ekonomia Online.
Ai tregoi se kjo është anketa e dytë e këtij lloji dhe ka për qëllim që t’i identifikojë dobësitë e ATK-së dhe të identifikojë rastet kur tatimpaguesit konsiderojnë dhe vlerësojnë veprimet e ATK-së si të pamjaftueshme në ofrimin e shërbimeve për ta.
“Bazuar në të gjeturat e kësaj ankete do t’i orientojmë aktivitetet tona në mënyrë që tatimpaguesit t’i realizojnë të drejtat e tyre që i takojnë me ligj dhe nuk do të lejojmë që ato të drejta të cenohen në çfarëdo forme”, tha Imeri.
“Besojmë që ju tatimpagues të nderuar, në vazhdimësi do t’i bashkoheni ATK-së duke dhënë kontributin tuaj për të siguruar se trajtimi nga ana e ATK është u drejtë dhe ligjor dhe se secili është duke paguar pjesën e vet të drejtë, në mënyrë që shteti i Kosovës të mund të sigurohet për të hyrat dhe do të mundësinë të plotësojë obligimet e veta për qytetarët”, deklaroi Imeri.
Ai shtoi se ATK-ja zbaton në vazhdimësi iniciativat e Qeverisë në funksion të lehtësimit të të berit biznes në Kosovë. “ATK-ja është e orientuar drejt ofrimit të shërbimeve elektronike, krijimit të aplikacioneve që lehtësojnë përmbushjen vullnetare të tatimpaguesve, përsosjes së analizës së riskut në përzgjedhjen e tatimpaguesve që potencialisht shmangin pagesën e tatimeve dhe përdorimin e forcës së ligjit ndaj atyre që bëjnë evazion fiskal, duke rrezikuar konkurrencën e drejtë të tatimpaguesve të ndershëm”, theksoi kreu i Administratës Tatimore.
Zëvendësministri i Financave, Fatmir Gashi, tha se do të shikojnë të gjitha të metat që kanë deklaruar tatimpaguesit, në mënyrë që t’i rregullojnë ato. “Unë po zotohem këtu para jush se Ministria e Financave të gjitha rekomandimet e dala nga ky ambient, do të angazhohet së bashku me ATK-në, në rregullimin e tyre”.
“Është dhe çështja e rimbursimit, i cili do të jetë shumë më i shpejt dhe shumë më i qartë”, tha Gashi.
Udhëheqësja e organizatës GIZ, Kadri Jogiste, tha se synimi i tyre është stimulimi i tatimaguesve që të paguajnë detyrimet e tyre, në mënyrë vullnetare.
“Më 2011 kemi filluar bashkëpunimin me ATK-në. Dhe do ta vazhdojmë bashkëpunimin, me partnerët aktualë, edhe në vitet 2019-20, edhe sa i përket ankesës së tatimpaguesve”.
“Jam e kënaqur që ATK-ja po bënë përpjekje drejt përmirësimit të raportit ndërmjet Administratës Tatimore dhe tatimpaguesve. Kjo ka të bëjë me ndërtimin e besimit në marrëdhëniet e tatimpaguesve sepse nuk jemi për t’i zënë ata që të mos t’i paguajnë tatimet, por t’i stimulojmë që t’i bëjnë pagesat në mënyrë vullnetare. Gjithashtu kjo anketë tregon për shërbime të përmirësuara nga ana e ATK-së”, tha Jogiste.
Valmira Rexhbeqaj, përfaqësuese e kompanisë UBO Consulting, ka bërë prezantimin e rezultateve të anketës, i cili projekt është i mbështetur nga Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (GIZ) GmbH. Ajo tha se janë bërë 1250 anketa sasiore dhe 15 intervista gjysmë të strukturuara dhe 4 fokus grupe.
Ajo tha se sipas rezultateve të anketës, del se tatimpaguesit e Kosovës janë të kënaqur me disponueshmërinë dhe cilësinë e informacionit nga ATK-ja.
“48 për qind e të anketuarve janë përgjigjur se shkëmbejnë informata me zyrtarët e ATK-së çdo tre muaj, ndërsa 22 për qind një herë në vit. Mbi 50 për qind te tatimpaguesve kanë deklaruar se komunikimi i tyre me ATK-në bëhet përmes kontabilistit”, tha Rexhbeqaj.
Ajo tregoi se te rimbursimi i TVSH-së në krahasim me vitin 2015, 12% e të anketuarve kanë pasur rast konkret të paraqitjes së kërkesës për rimbursim të TVSH-së. Nga ta 62% e vlerësuan procedurën si të lehtë dhe 36% si të vështirë.
83% kanë marrë përgjigje përfundimtare nga ATK-ja; nga ta 45% janë rimbursuar dhe 39% nuk janë rimbursuar. Prej atyre që nuk janë rimbursuar, 22% kanë marrë arsye pse janë refuzuar dhe 17% nuk kanë marrë asnjë arsye.