Rritet numri i grave që konsumojnë duhan në Kosovë, përfshirë edhe shtatzënat

Prishtinë | 31 Maj 2022 | 15:17 | Nga Ekonomia Online

Sot shënohet Dita Botërore pa Duhan.

Zëvendësministrja e Shëndetësisë, Dafina Gexha, tha se prevalenca e duhan-pirjes në Kosovë mbetet ende e lartë me rreth 28%-30% të popullatës së rritur që konsumojnë duhan.

Sipas shifrave që posedon Ministria, burrat janë konsumues më të mëdhenj të këtij produkti, por që fatkeqësisht është vërejtur rritje e konsumimit edhe në mesin e gjinisë femërore, përfshirë këtu edhe shtatzëna.

“Disa vjet pas, ne shohim rënie të ndjeshme të disiplinës për zbatimin e Ligjit për Kontrollin e Duhanit, i cili pavarësisht shkeljeve që i bëhen ka sjellë një kulturë të re edukative në shoqërinë tonë, duke prodhuar efekte në uljen e konsumit në mesin e të rinjve, siç tregon edhe Hulumtimi gjithëpërfshirës i duhan-pirjes tek të rinjtë GYTS II, i cili gjeti se në mesin të rinisë të moshës 13-15 vjeç, konsumi i duhanit nga 6.7% sa ishte para hyrjes në fuqi të ligjit, kishte rënë në 4.4% më 2016, derisa duhan-pirja pasive ishte përgjysmuar, nga 84% në 43%. Prevalenca e duhan-pirjes në Kosovë mbetet ende e lartë me rreth 28%-30% të popullatës së rritur që konsumojnë duhan, ku burrat janë konsumues më të mëdhenj të këtij produkti, por që fatkeqësisht është vërejtur rritje e konsumimit edhe në mesin e gjinisë femërore, përfshirë këtu edhe shtatzëna”, tha mes tjerash ajo.

Të ngjashme