Rritet numri i shkurorëzimeve në Kosovë

Prishtinë | 09 Kor 2026 | 09:20 | Nga Ekonomia Online

Numri i shkurorëzimeve në Kosovë ka shënuar rritje gjatë vitit 2025, krahasuar me një vit më parë.

Gjatë vitit 2025, janë raportuar dhe regjistruar gjithsej 2 mijë e 192 shkurorëzime që paraqet 46 raste më shumë sesa në vitin 2024 (ku ishin 2 mijë e 146 shkurorëzime) ose një rritje prej 2,1 %.

Sipas komunës ku është regjistruar shkurorëzimi, numri më i madh i rasteve është evidentuar në Prizren me 192 shkurorëzime (8,8 %), pasuar nga Prishtina me 175 raste (8,0 %) dhe Peja me 163 raste (7,4 %), njofton Agjencia e Statistikave e Kosovës, përcjell KosovaPressi.

Sipas kohëzgjatjes së martesës, pjesa më e madhe e shkurorëzimeve i përkiste martesave që kishin zgjatur 5–9 vjet, me 627 raste, ose 28,6 % të numrit të përgjithshëm të shkurorëzimeve. Pas tyre renditen martesat me kohëzgjatje 10–14 vjet, me 297 raste, ose 13,5 %.

Sipas grup-moshës, te gratë numri më i madh i shkurorëzimeve është regjistruar në grup-moshën 25–29 vjeç, me 463 raste (21,1 %), ndërsa tek burrat në grup-moshën 30–34 vjeç, me 464 raste (21,2 %).

Të ngjashme