Numri i jahteve dhe anijeve turistike që kanë hyrë në hapësirën detare në Shqipëri gjatë gjysmës së parë të vitit është rritur me 30% .
Sipas Drejtorisë së Përgjithshme Detare, ndonëse ende nuk kanë filluar muajt e kulmit të sezonit turistik korrik-gusht, rezulton të kenë hyrë 508 jahte dhe veliera ashtu sikurse 43 tragete turistësh.
Treguesit më të lartë i mban Porti i Sarandës ku gjatë kësaj periudhe të parë të vitit kanë hyrë 276 jahte e veliera dhe 43 tragete turistike.
Në Portin e Durrësit rezulton të kenë hyrë 112 jahte ndërsa në atë të Vlorës 90 të tillë.
Nuk ka mbetur pa vizitorë as Shëngjini ku janë regjistruar të kenë hyrë 30 jahte e veliera, transmeton atsh.
Si një destinacion turistik i njohur për shumë turistë nga shumë vende të botës, Shqipëria vazhdon të tërheqë vëmendjen dhe kureshtjen e shumë turistëve dhe vizitorëve të huaj, të cilët rezervojnë udhëtime turistike në qytete të ndryshme të Shqipërisë përgjatë sezonit veror dhe dimëror.