Rrjedhja e dokumenteve nga Gjykata Speciale një goditje ndaj drejtësisë

Prishtinë | 01 Tet 2020 | 19:08 | Nga Ekonomia Online

Rrjedhja e dosjeve të rasteve të krimeve të luftës në Kosovë nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë mund të komprometojë sigurinë e dëshmitarëve dhe të pengojë ndjekjen penale të disa krimeve të tmerrshme.

Lajmi i habitshëm për rrjedhën e disa dosjeve konfidenciale nga Zyra e Prokurorit të Specializuar të Kosovës në Hagë do të ishte një fabul emocionuese për një roman policesk të John le Carré. Por ky nuk është një roman. Kjo është diçka e vërtetë. Është një skandal dhe është serioze.

Mandati i Zyrës së Prokurorit të Specializuar për të ndjekur penalisht veteranë të rangut të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për krime të rënda të dyshuara se janë kryer gjatë dhe menjëherë pas luftës me Serbinë, nga viti 1998 në vitin 2000, mund të jetë në rrezik. Dhe kredibiliteti i Zyrës së Prokurorit, tashmë tepër i ulët midis shqiptarëve të Kosovës, tani mund të jetë dëmtuar ndjeshëm.

Siç dihet deri më tani, ato që pretendohet të jenë tre grupe dosjesh konfidenciale të Prokurorisë, duke përfshirë emra dëshmitarësh të mbrojtur dhe informacione të tjera tepër të ndjeshme, u dërguan në mënyrë anonime gjatë shtatorit në Organizatën e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Prishtinë.

Kreu i Organizatës së Veteranëve të Luftës, Hysni Gucati, dhe zëvendësi i tij, Nasim Haradinaj, kanë mbajtur tre konferenca për shtyp në lidhje me dokumentet, dhe Gucati u ka kërkuar gazetarëve të Kosovës që të publikojnë përmbajtjen e tyre. Ai ka qenë një kundërshtar i zëshëm i Zyrës së Prokurorit të Specializuar, duke pretenduar se ajo është e njëanshme kundër UÇK-së dhe ai shprehet se këto dokumente vërtetojnë fjalën e tij.

Haradinaj në fakt përmendi emrat e disa dëshmitarëve të mundshëm dhe ofroi informacione në lidhje me vendin ku ata jetonin dhe detaje të tjera personale.

Dosjet – origjinaliteti i të cilave as nuk është verifikuar dhe as nuk është mohuar në mënyrë të pavarur – janë kthyer në Zyrën e Prokurorit dhe, deri më tani, gazetarët kanë refuzuar të publikojnë ndonjë prej tyre, me sa duket nga frika e përgjegjësisë ligjore.

Megjithatë, 260 faqe dokumentesh konfidenciale nga Zyra e Prokurorit të Specializuar kanë mbërritur në stacionin televiziv Top Channel në Tiranë, Shqipëri, thuhet se nga një burim në Hagë. Sigurisht që kjo është diçka shqetësuese.

Disa faqe u publikuan së fundmi në faqen e internetit të këtij stacioni dhe, ndër të tjera, ato përmbajnë emra të të pandehurve të mundshëm dhe teori për përgjegjësi penale, të tilla si sipërmarrje e përbashkët kriminale dhe përgjegjësi komanduese. Thuhet se ky stacion televiziv planifikon gjithashtu të publikojë më shumë dokumente.

Nga ana e tyre, Gucati dhe Haradinaj janë arrestuar dhe janë dërguar në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë nën pretendimin për kanosje dhe hakmarrje ndaj dëshmitarëve që po bashkëpunojnë me prokurorinë, si edhe për shpërndarje të të informacioneve konfidenciale në lidhje me punën e Zyrës së Prokurorit. Selia e Organizatës së Veteranëve të Luftës në Prishtinë është bastisur dhe kontrolluar.

Një rastësi, veterani i parë i UÇK-së që u padit nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, Salih Mustafa, u arrestua gjithashtu javën e kaluar në Prishtinë dhe u dërgua në Hagë. Ai doli në gjykatë bashkë me avokatin që iu caktua dhe ushtroi të drejtën e tij për të pranuar ose jo fajësinë.

Ironia e kësaj situatë është tepër e habitshme. Në të njëjtën kohë që Mustafa doli para gjykatës, Gucati dhe Haradinaj ishin në paraburgim për zbulimin e informacioneve konfidenciale që mund të ndikojnë negativisht në ndjekjen penale të Mustafës dhe veteranëve të tjerë të UÇK-së që do të vijnë pas tij. Haradinaj pati daljen e tij të parë në gjykatë të martën dhe sfidoi legjitimitetin e gjykatës. Gucati është planifikuar të dalë në gjyq të enjten.

Dëshmitarët mund të kenë frikë të dëshmojnë

Duhet supozuar se Zyra e Prokurorit po përpiqet me vendosmëri të identifikojë se si dhe nga kush janë marrë dhe rrjedhur dokumentet, si dhe të minimizojë dëmin e mundshëm nga kjo gjë.

Por edhe nëse hetimi i brendshëm është i suksesshëm, tashmë është bërë shumë dëm. Kjo tashmë ka ndodhur dhe nuk mund të zhbëhet.

Pse është kështu?

Një nga arsyet kryesore pse komuniteti ndërkombëtar këmbënguli që Kosova të braktiste sistemin e drejtësisë të EULEX-it dhe të krijonte një gjykatë speciale jashtë Kosovës, ishte mbrojtja e integritetit të hetimit për këto krime të rënda të UÇK-së dhe mbrojtja e dëshmitarëve që mund të jenë të gatshëm të dëshmojnë kundër luftëtarëve të shquar dhe heronjve të luftës të UÇK-së.

Tani, integriteti i hetimit është komprometuar. Nëse mund të ndodhin rrjedhje dokumentesh si kjo që sapo ka ndodhur, atëherë asgjë nuk mund të konsiderohet më sekret.

Më e rëndësishmja, është vënë në rrezik siguria e dëshmitarëve që janë të gatshëm të bashkëpunojnë. Çdo dëshmitar që mund të ketë qenë i gatshëm të dëshmojë kundër veteranëve të UÇK-së dhe anonimati i të cilit është mbrojtur deri më tani, do të duhej të shqetësohej seriozisht për dëmtimin e tij dhe të familjeve të tyre nga mundësia që emrat e tyre mund të jenë rrjedhur gjithashtu.

Këta dëshmitarë tani mund të refuzojnë të dëshmojnë edhe nën masa të veçanta për të mbrojtur identitetin e tyre, duke qenë se emrat e tyre tashmë mund të dihen. Kjo do të ishte një pengesë e madhe për Zyrën e Prokurorit të Specializuar dhe do të ndikonte negativisht në ndjekjen penale të krimeve të tmerrshme.

Është e rëndësishme të kuptojmë se BE-ja shpenzoi 156,000,000 euro deri në qershor 2020 për Zyrën e Prokurorit të Specializuar dhe Dhomat e Specializuara të Kosovës, me 45,000,000 euro të tjera të alokuara për këtë vit, shumë e cila arrin në një total prej më shumë se 200,000,000 eurosh. Një shumë shastisëse nga çdo standard objektiv.

Të dyja këto, në vitin 2019 u zhvendosën në një ndërtesë moderne në Hagë, të financuar bujarisht nga Norvegjia, dhe në të janë të punësuar rreth 200 njerëz.

Kështu që dikush do të priste që Zyra e Prokurorit të Specializuar dhe Dhomat e Specializuara do të kishin aftësinë, përvojën dhe ekspertizën e nevojshme për të përmbushur një nga përgjegjësitë e tyre kryesore – mbrojtjen e dosjeve konfidenciale, sidomos të atyre që përmbajnë emrat e dëshmitarëve, nga vjedhja dhe shpërndarja. Megjithatë, ata kanë dështuar në këtë drejtim.

Nuk ka asnjë mënyrë për të ditur se sa gjerësisht po qarkullojnë këto dosje. Dikush mund të mendojë me të drejtë se këto dosje mund t’i ketë marrë edhe dikush tjetër përveç Organizatës së Veteranëve të Luftës dhe Top Channel. Dhe nuk ka asnjë mënyrë për të ditur nëse dhe kur në të ardhme, në një moment të leverdisshëm, mund të dalë në dritë ndonjë dosje tjetër.

Ky skenar fatkeq nuk është diçka pozitive për Zyrën e Prokuroti të Specializuar, e cila ka punuar fuqishëm për vite me radhë për të përgatitur ndjeket penalet. Dhe kjo nuk mund të kishte ndodhur në një periudhë më të keqe, pikërisht ku filluan më në fund procedurat gjyqësore.

Gjyqtari Dean B. Pineles është diplomuar në Brown University, Boston University Laë School dhe Kennedy School of Government në Universitetin e Harvardit. Ai ka shërbyer si gjyqtar ndërkombëtar me EULEX-in nga viti 2011 deri në vitin 2013. Përveç se në Kosovë, ai ka eksperiencë në sundimin e ligjit në Rusi, Kazakistan dhe Gjeorgji.

Gjyqtari Dean B. Pineles është diplomuar në Brown University, Boston University Law School dhe Kennedy School of Government në Universitetin e Harvardit. Ai ka shërbyer si gjyqtar ndërkombëtar me EULEX-in nga viti 2011 deri në vitin 2013. Përveç se në Kosovë, ai ka eksperiencë në sundimin e ligjit në Rusi, Kazakistan dhe Gjeorgji.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme