Në orët e paditës ka ndodhur një rrëshqitje e pjesërishme e një vinçi në hapësirat punuese të autostradës “Arbën Xhaferi”, konkretisht në segmentin e fundit të pjesës së urës.
Përmes një njoftimi për medie, ministria e Infrastrukturës ka bërë të ditur se rruga që lidh Kaçanikun me Hanin e Elezit dhe pikën kufitare me Maqedoninë, do të bllokohet.
Si pasojë e kësaj rrëshqitje janë lënduar 3 persona, të cilëve MI iu uron shërim të shpejtë.
“Me këtë rast, kanë pësuar lëndime 3 punëtorë, për të cilët Ministria e Infrastrukturës është informuar se kanë marrë lëndime të lehta, për të cilat Ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj, ju dëshiron shërim të shpejtë”.
“Me qëllim të sigurisë në komunikacion gjatë intervenimit të ekipeve përkatëse, rruga nacionale N2, që lidh Kaçanikun me Hanin e Elezit dhe pikën kufitare me Maqedoninë, do të bllokohet për një periudhë kohore prej 3 orëve. Lusim qytetarët që të shmangin qarkullimin në këtë rrugë për kohën e përcaktuar”, thuhet në njoftim.