Punimet e zgjerimit të rrugës Prishtinë – Veternik do të fillojnë të martën, e cila do të jetë rruga e parë në Kosovë me 4 korsi në një drejtim, pra 8 korsi në të dy drejtimet.
Në këtë ceremoni marrin pjesë kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa së bashku me ministrin e Infrastrukturës, Lutfi Zharku që do të inaugurojnë fillimin e punimeve të kësaj rruge.
“Ky segment rrugor do të zgjerohet në të dy anët e rrugës me nga dy korsi të reja, me gjerësi prej 3.5 metrash për secilën korsi. Po ashtu, në të dy anët e rrugës do të ndërtohen trotuare me ndriçim dhe shteg të biçikletave”, thuhet në njoftimin e MI-së.
“Projekti është paraparë të realizohet me 2 llote. Lloti 1 do të jetë drejtimi Prishtinë – Veternik, krahu i majtë i rrugës, i cili sipas kontratës parashihet të përfundojë brenda 150 ditësh pune, me një gjatësi prej 1.5 kilometrash dhe me kosto prej 1 589 674 34 eurosh, ndërsa lloti 2 është drejtimi Prishtinë – Veternik, krahu i djathtë i rrugës, me një gjatësi prej 1.5 kilometrash dhe me kosto prej 1 374 516 70 eurosh. Punimet e llotit 2, sipas kontratës, parashihet të përfundojnë brenda 110 ditësh pune”, thuhet në njoftim.