Ndonëse nuk u aktivizua, ndeshja e Kosovës me Haitin ishte e veçantë për futbollistin Shkodran Metaj. Ai vazhdon ta vlerësojë të veçantë 5 marsin e vitit 2014. Atë ditë në Mitrovicë u luajt takimi Kosova – Haiti që përfundoi pa gola.
Ajo ndeshje vlerësohet një pikë kthese në historinë e futbollit kosovar në përgjithësi, e përfaqësueses së Kosovës në veçanti. Ishte ndeshja e parë miqësore pasi FIFA kishte dhënë leje që Kosova të luante miqësore. Po niste një kapitull i ri që solli entuziazëm dhe të gjithë pjesëmarrësit vazhdojnë të ndihen krenarë që ishin në atë ngjarje historike, shkruan sot Koha Ditore.
Njëjtë si Kosovës, Metajt atëbotë i parashikohej e ardhme e ndritur. Por Metaj – së bashku me shumë lojtarë që kanë kontribuar në historinë më të re të përfaqësueses së Kosovës, atë të pesë vjetëve të fundit – nuk ka pasur një rrugëtim të dëshiruar në karrierë. 30-vjeçari tani po luan për skuadrën Hardenberg në kategorinë e tretë holandeze dhe është i vetëdijshëm se paraqitja në këtë nivel nuk i ofron luksin që të ftohet në përfaqësuese. Menjëherë pasi ka rënë në nivelin e tretë holandez, Metaj e ka ditur që rruga e tij në përfaqësuese po mbyllej ngadalë.