Rudari: Huazimi i kuzhinierëve s’ka shkaktuar probleme në QS, përgatisim rreth 20 lloje të ushqimeve

Prishtinë | 02 Nën 2024 | 08:58 | Nga Furtuna Zejnullahu

Qendra e Studentëve (QS) nuk pa pasur pengesa në përgatitjen e ushqimit për studentët të cilët ushqehen në baza ditore në këtë institucion edhe pse disa kuzhinierë i janë huazuar Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), ka konfirmuar për Ekonomia Online, Ekrem Rudari.

Rudari pohon se dërgimi i kuzhinierëve për nevojat e FSK-së nuk ka pasur nevojë të bëhet rrëmujë kaq e madhe, ngase është bërë punë e mirë. Ai ka sqaruar se përgatisin rreth 20 lloje të ushqimeve.

“I kemi dërguar disa kuzhinierë, ua kemi huazuar, por gjithçka është në rregull ne ja kemi dalë, jemi duke ia dal, por edhe punëtorët tonë kuzhinierët të cilët janë në qendër të studentëve janë duke e bë një punë të mirë, për një kohë të shkurtër ua kemi huazuar, po e bëjnë punën e shkëlqyeshme, e kanë marrë modelin e mensës e kanë dërguar në ushtri, kanë me dal me 18-20 lloje të ushqimeve edhe atje”.

“…. pak është bërë një farë rrëmuje, por është bërë një punë e mirë, nuk e di, nuk e kuptoj anën politike vetëm e kemi pa në media që është bërë një rrëmujë e tillë, gjë që nuk ka pasur nevojë të bëhet aq e madhe sepse është bërë vetëm një punë e mirë”.

Rudari ka thënë se aktualisht janë 4 mijë studentë që banojnë në konvikte me kushte të mira dhe nuk ka asnjë ankesë. Ai njoftoi se gjithsej janë pesë konvikte vajza dhe tre konvikte për meshkuj.

“Në konvikte banojnë rreth 4 mijë student, gjithsej janë 5 konvikte vajza dhe 3 konvikte djem ose me përqindje i bie 69 për qind vajza dhe 31 për qind meshkuj. Kushtet janë shumë të mira por besoj që janë kushte ideale për studentë, por në mensë është edhe më brilante, ushqimet në mensë janë shumë të mira, po flasim në bazë të kërkesave dhe të ankesave, nuk kemi kërkesa dhe ankesa sikur në kushte në banim, si në mensë”, ka thënë Rudari, teksa tregoi se cilët studentë kanë përparësi për t’u pranuar në Qendrën e Studentëve. 

“Kërkesat janë të mëdha ende por kapaciteti është rreth 4 mijë. Interesimi i studentëve është i madh, por me kushte në këtë vite ka pasur një ndryshim, nga pranimi i studentëve të cilat kanë qenë më kilometër jo siç ka qenë më herët me qytet, kësaj here ka qenë më ndryshe, pra me kilometër që nuk janë diskriminuar studentët e fshatrave, dhe ka qenë një përparësi për ta”, ka deklaruar Rudari.

Në fund, ai deklaroi se do të ndërtohet një konvikt i ri me pishinë gjysmë olimpike për nevojat e Lojërave Mesdhetare, raporton EO.

“Projekti i ri është me këto Lojërat Mesdhetare 2030 e cila do të ndërtohet një konvikt me pishine gjysmë olimpike brenda por edhe disa fusha, aktivitete të cilat do të bëhen brenda oborrit të konvikteve sallën 1 tetori në fakt jemi veç jemi duke e vërë një renovim një fitnes të ri për studentë që ka me qenë edhe ajo shumë e mirëseardhur për ta, renovime e të gjitha këto jemi në mirëmbajtje të tyre”, përfundo Rudari. 

Të ngjashme