Rukiqi: Programi i LDK-së është i djathtë evropian, i ndërtuar mbi ordoliberalizmin dhe shtetin funksional

Prishtinë | 20 Dhj 2025 | 14:54 | Nga Ekonomia Online

Kandidati për deputet nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Berat Rukiqi, ka deklaruar se programi ekonomik i LDK-së përfaqëson të djathtën moderne evropiane, duke u bazuar në ordoliberalizmin gjerman, modelin social austriak dhe shtetin digjital estonez, me fokus në tregun e lirë, shtetin funksional dhe krijimin e kushteve për zhvillim ekonomik.

Rukiqi ka thënë se për mbi 15 vite ka përfaqësuar sektorin privat, duke theksuar se ka takuar mbi 1.000 biznese vendore dhe ndërkombëtare, ka sjellë investime të huaja, ka punuar me brende prestigjioze ndërkombëtare, ka krijuar start-up-e të suksesshme, ka punësuar dhjetëra persona dhe ka paguar taksa në Kosovë. Sipas tij, ky profil është garanci se sektori privat mbetet prioritet i fuqishëm i LDK-së dhe se për ekonominë flet nga përvoja reale dhe jo vetëm nga teoria.

Ai ka deklaruar se zhvillimi nuk vjen nga ideologjia, por nga parakushtet e forta për zhvillim dhe nga një shtet funksional, duke theksuar se programi ekonomik i LDK-së bazohet në parimet e ordoliberalizmit gjerman, si thelbi ideologjik i së djathtës evropiane: treg i lirë, shtet i fortë rregullator, rregulla të qarta, siguri juridike dhe konkurrencë e ndershme. Rukiqi ka theksuar se shteti nuk duhet të bëjë biznes, por të krijojë kushtet që biznesi të rritet.

Sipas tij, kjo qasje kombinohet me modelin austriak, që garanton stabilitet social, shëndetësi funksionale dhe mbështetje për familjen, si dhe me modelin estonez të një shteti të vogël, digjital dhe efikas, pa burokraci që e dëmton biznesin.

Rukiqi ka bërë të ditur se programi i LDK-së fokusohet në arsim profesional të lidhur me tregun e punës, duke përfshirë mësimin tërëditor, sistemin dual, çerdhet, digjitalizimin e librave, kodimin dhe inteligjencën artificiale. Ai ka përmendur edhe energjinë e sigurt dhe të përballueshme, përmes termocentralit me gaz, energjisë së ripërtëritshme dhe aplikimit të 0 për qind TVSH për energjinë elektrike.

Po ashtu, ai ka theksuar investimet në infrastrukturë moderne, duke përmendur ndërtimin e spitalit të ri, stadiumit kombëtar, organizimin e Lojërave Mesdhetare, Unazën e Prishtinës dhe përfundimin e autostradave dhe magjistraleve. Rukiqi ka përmendur edhe digjitalizimin e shtetit, me 150 milionë euro investime në ICT, inteligjencë artificiale dhe shërbime digjitale.

Në lidhje me administratën publike, ai ka deklaruar se LDK synon një administratë efikase dhe të motivuar, me paga më të larta, shtesa të lidhura me performancën dhe përshtatje të pagave me rritjen e çmimeve dhe rritjen ekonomike. Sipas tij, rritja e pagave në sektorin publik pas një inflacioni rreth 30 për qind në katër vite nuk është politikë e majtë, por ruajtje e pagës reale dhe e shtetit funksional.

Rukiqi ka theksuar se pa paga reale largohen mjekët, mësuesit dhe policët, cenohet siguria dhe kjo ka kosto direkte për sektorin privat. Ai ka shtuar se rritja e pensioneve nuk është populizëm, por respekt i kontratës ndërbreznore, ndërsa mbështetja për të porsalindurit dhe familjen është thelb i eurokonservatorizmit, pasi pa familje të fortë nuk ka treg të zhvilluar.

Në fund, Rukiqi ka deklaruar se kjo qasje nuk është e majtë, por e djathtë moderne evropiane, duke theksuar se LDK nuk beson në shtet që shpërndan varfëri, por në shtet që krijon kushte për punë, treg të lirë, paga më të larta dhe mirëqenie reale. Ai ka ftuar të gjithë ata që dëshirojnë debat serioz, me argumente dhe jo me propagandë, të marrin pjesë në diskutim.

Të ngjashme