Një avion ushtarak rus u rrëzua nga një raketë siriane mbi detin Mesdhe, duke vrarë 15 persona sa ishin në bord, tha ministria e Mbrotjes ruse.
Moska fajësoi Izraelin për këtë rast duke thënë se avioni mori flakë nga katër avionë luftarakë izraelitë derisa po sulmonin objektivat në Sirinë veriperëndimore.
“Pilotët izraelitë e përdorën avionin rus si një mburojë dhe e shtynë atë në vijën e zjarrit të mbrojtjes siriane”, tha të martën zëdhënësi i ministrisë, Igor Konashenkov.
Rusia tha se do të ketë një “përgjigje të përshtatshme” për Izraelin, raporton Al Jazeera.
Ushtria ruse tha se aeroplani i tyre u godit 35 km larg bregut sirian, pasi po kthehej në bazën e tij më të afërt.
Një zëdhënës ushtarak izraelit i pyetur rreth sulmit të raportuar për aeroplanit rus, tha: “Ne nuk komentojmë raporte të huaja”.
Për disa vite, Izraeli dhe Rusia kanë mbajtur një linjë telefonike për të parandaluar që forcat e tyre ajrore të përplasen në qiell mbi Sirinë.
Zyrtarët ushtarakë izraelitë e kanë vlerësuar më parë efektivitetin e kësaj marrëveshjeje.
Ndërkaq, ushtria ruse tha se Izraeli nuk e paralajmëroi atë për operacionin e saj mbi krahinën Latakia deri një minutë përpara sulmit, i cili nuk i dha aeroplanit rus kohë të mjaftueshme për të shpëtuar.