Kandidatja e Partisë Demokratike të Kosovës për kryetare të Pejës, Sabiha Shala gjatë ditës së sotme, ka zhvilluar takim me drejtorin e Klubit të Futbollit “Peja”, Fisnik Gashin si dhe të rinjtë e këtij Klubi.
Znj. Shala, me këtë rast ka thënë se në mandatin e ardhshëm qeverisës, do të angazhohet maksimalisht për sportin në Komunën e Pejës dhe ta avancojë sportin e këtij qyteti shembullor të sportit, qytetit i cili ka dhënë kampionë olimpik si Majlinda Kelmendi e shumë sportistë të tjerë.
Ajo theksoi se Klubi i Futbollit “Peja” duhet të përkrahet shumë më shumë, që të rinjtë t’i kenë kushtet që meritojnë për të zhvilluar aktivitetet e tyre sportive.
“Të rinjtë e pasionuar të Klubit të Futbollit “Peja”, janë vlerë e mrekullueshme për të ardhmen e sportit të këtij qyteti dhe sportit në vend. Të rinjtë duhet të kenë kushte të mira për të zhvilluar pasionin e tyre për sportin, jo vetëm për futbollin, por edhe për xhudon, basketbollin, hendbollin, volejbollin e sportet tjera”, ka theksuar Sabiha Shala, duke cekur traditën sportive të Pejës që është ndër më të pasurat në vend.
Kandidatja për kryetare të Pejës nga radhët e PDK-së, Sabiha Shala, ka theksuar se angazhimi do të jetë serioz jo vetëm karshi këtij Klubi por të gjithë sportit të Pejës, qytetit të kampiones Majlinda Kelmendi dhe të shumë sportistëve tjerë që me energjinë e tyre e kanë bërë krenarë qytetin, vendin dhe kombin kudo në botë.
Znj. Shala ka cekur rëndësinë e fushave të sportit edhe për futbollin e vogël, fushat e sportit në shkolla, sallat e mbyllura sportive, deri te përmirësimi i kushteve për stadiumin e Klubit të Futbollit “Peja”, të cilët i përgëzoi për sukseset.