Sabiha Shala, kandidate e PDK-së për kryetare të Pejës, ka thënë se nëse ajo do të fitojë zgjedhjet lokale të 22 tetorit do të realizojë 37 projekte kapitale në vlerë prej rreth 24 milionë eurosh.
Shala ka thënë se prioritet kryesor do të jetë rinia, ndërsa ka përmendur edhe zhvillimin ekonomik, infrastrukturën, arsimin dhe turizmin.
“Prioriteti është zhvillimi ekonomik, punësimi i të rinjve dhe grave. Kemi në program 37 projekte kapitale me rreth 24 milionë euro, do të shfrytëzojmë mekanizmin e partneritet publiko-privat, buxhetin komunal, qendror dhe donatorët. Arsimi dhe urbanizmi janë prioritete tjera së bashku me mjedisin, qeverisja transparente dhe padiskriminim”, ka thënë ajo në Interaktiv të KTV-së.
Sa i përket problemit me qentë endacakë, Shala ka thënë se do të kujdeset që për vetëm gjashtë muaj qeverisje të largojë këtë problem.
“Ky është problem shqetësues në nivel vendi. Ne në Pejë garantojmë se s’do të ketë qenë endacakë pas gjashtë muajsh në qeverisje. Do të marrim masa. Fillestare do të jetë strehimi i tyre. Menaxhimi i mirëfilltë i buxhetit do t’i realizojë projektet e dëshiruara”, ka thënë ajo.