Saga dhe tallja e Qeverisë me sigurimet shëndetësore vazhdon!

Prishtinë | 27 Gus 2024 | 13:52 | Nga Shemsedin Dreshaj

Deklarata e kryeministrit Kurti në konferencën e mbajtur në QKUK, ku u tha se Ligji për Sigurimet Shëndetësore do të kalojë sivjet, është një tjetër mashtrim i vazhdueshëm ndaj qytetarëve të Kosovës. Ky është një ligj i rëndësisë jetike për shëndetin e popullatës, dhe nuk mund të trajtohet si një premtim i zbrazët politik.

E vërteta është se ky ligj ka qenë pjesë e secilit plan legjislativ të viteve të fundit, e edhe të këtij viti, ku ishte paraparë të miratohej në Kuvend deri në qershor. Mirëpo, ne po hyjmë në shtator dhe asgjë konkrete nuk është bërë. Ky është një shembull i qartë i mungesës së përkushtimit dhe sinqeritetit nga ana e qeverisë.

Ky komunikim me qytetarët është i pasinqertë dhe i papranueshëm. Besimi që u mor në zgjedhjet e vitit 2021 është shkelur dhe përçmuar skajshmërish. Të luash me shpresat dhe nevojat e pacientëve dhe njerëzve në nevojë është një akt i papërgjegjshëm dhe i pamoralshëm.

Qytetarin nuk mund ta gënjesh dy herë.

(Autori është mjek me profesion, aktualisht është deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e AAK-së)

Të ngjashme