Trajneri i ri i Chelseat, Maurizio Sarri, ka thënë se aventura e tij e re në Angli do të jetë e vështirë, pasi sipas tij Premier Liga është me e komplikuar se Serie A.
“Është një nder të jem në Londër, të jem trajneri i Chelsea. E di që do të jetë e vështirë, pasi ky është kampionati më i vështirë në botë, është më i komplikuar se Seria A, por dua që në fushë të imponoj lojën time”, u shpreh Sarri, që vetëm pak ditë më parë firmosi me “blutë” e Londrës.
Më tej, trajneri italian, që zuri vendin e patriotit të tij Antonio Conte, tha: “Dua që të argëtoj fansat, kjo është gjëja më e rëndësishme për mua”, tha Sarri, që në konferencën e parë për shtyp për mediat vendase foli në italisht. “Ju premtoj se pas dy javësh do të përgjigjem në anglisht”, u shpreh Sarri.
Për sa i përket merkatos, ai tha: “Është e qartë se ne duam t’i mbajmë lojtarët më të mirë, por të shohim se si do të evoluojë merkato ditët në vijim. Unë jam një trajner në fushë dhe jo një menaxher, jam një trajner që mërzitem nga merkato. Unë kam për detyrë të rris futbollistët”, tha Sarri.