SBAShK-u apel nxënësve: Të mërkurën në orën e parë mos shkoni në shkollë

Prishtinë | 13 Shk 2018 | 11:48 | Nga

 

Sindikata e Bashkuar e Arsimit të Kosovës përmes një komunikate ka bërë thirrje për nxënësit që të mërkurën në orën e parë në të dyja ndërrimet mos të shkojnë në shkollë.

Në njoftim thuhet se këtë vendim e kanë marrë pasi sipas tyre Qeveria e Kosovës nuk mbajti fjalën në raport me punëtorët e arsimit.

Më poshtë është komunikata e plotë e SBAShK-ut:

“Të nderuar prindër dhe nxënës në tërë Kosovën, SBAShK-u ka bërë dhjetëra takime me përfaqësuesit më të lartë të Kosovës në përpjekje që çështjet dhe marrëveshjet e arritura më herët të realizohen përmes dialogut, por Qeveria nuk reflektoi dhe ne jemi të detyruar të nisim me veprime sindikale . Kërkojmë mirëkuptimin tuaj dhe apelojmë që të mërkurën , më 14 shkurt nxënësit mos të jenë në shkollë në orën e parë në të dy ndërrimet. Ata le të jenë në vatrat e tyre të diturisë në kohën e duhur për të nisur orën e dytë. Nëse gjendja nuk ndryshon , atëherë ju lusim që edhe të martën, më 20 shkurt nxënësit mos të jenë në shkolla në dy orët e para të të dy ndërrimeve, por të shkojnë me kohë për të nisur mësimin në orën e tretë. Këtë apel e bëjmë për hir të sigurisë së nxënësve tanë ngase mësimdhënësit janë në grevë dhe nxënësit në oborre shkollash, apo pa mësimdhënësit në klasë, do të sfidohen nga ndonjë zënkë a rrezik tjetër.

Prindër të nderuar kudo jeni në tërë Kosovën, kryetar i nderuar i Këshillit të Prindërve, z. Bajram Beqiri , SBAShK-u këto veprime po bën në përpjekje për ta realizuar Qeveria borxhin ndaj punëtorëve të arsimit që me mund e sakrifica mbajtën gjallë arsimin shqip duke kundërshtuar fuqishëm me shkumësa, libra e me zemër, tendencën e pushtuesit serb për zhdukjen e arsimit dhe kulturës shqipe gjatë viteve të okupimit. Prindër dhe nxënës të nderuar na përkrahini në këtë përpjekje tonën për hir të respektit për mësimdhënësit e asaj kohe”, thuhet në komunikatën e plotë të SBAShK-ut.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme