Drejtori i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se nuk do të ketë shkurtime buxhetore për komunat në vitin 2021.
Ibrahimi mes tjerash ka thënë se janë duke e pritur kryeministrin Avdullah Hoti të kthehet nga takimi i Brukselit që ta diskutojnë edhe një herë këtë çështje.
I pari i komunave thotë se do të ketë një grant të veçantë për komunat që të shërbejë në zhvillimin ekonomik.
“Pas takimeve që i kemi pasur si këshill i kryetarëve me ministren Hykmete Bajrami, dhe me ministrin Goran Rakiq dhe pastaj me kryeministrin Avdullah Hoti, na është dhënë garanci dhe kryeministri Hoti ka premtuar që në vitin 2021 nuk do të ketë shkurtime buxhetore dhe buxheti do të jetë i njëjtë si me vitin 2020, dhe me këto premtime anëtarët tanë e kanë votuar edhe rishikimin e kornizës afatmesme buxhetore dhe shpresojmë që pas kthimit nga vizitat në Bruksel të kryeministrit Hoti’.
”…neve si këshill i kryetarëve në kuadër të asociacionit do ta diskutojmë edhe një herë dhe besoj që kryeministri Hoti premtimet që i ka dhënë deri më sot i ka përmbajtur dhe shpresojmë që buxheti për komunat për vitin 2021 shumë e saj në total do të jetë e njëjtë në total me vitin 2020 sepse sipas kryeministrit Hoti, do të formohet një grant i veçantë për zhvillim ekonomik gjithashtu edhe komunat e vogla do të kenë një incentiv buxhetore ashtu siç kanë pasur edhe më herët.”
Ibrahimi ka folur edhe për situatën e krijuar me pandeminë në komunat e Kosovës. Ai thotë se nga 10% deri në 30% ka rënie të numrit të infektuarve me Coronavirus.
“Në takimin e fundit që kemi pasur si komitet anti-covid ku Asociacioni i Komunave të Kosovës i përfaqëson dhe i mbron interesat e komunave në atë komitet, është konstatuar se niveli apo përqindja është duke rënë dhe ka një rënie të numrit të të infektuarve, dhe kjo përqindje varion nga komunat në komunë, mirëpo rënia është nga 10% deri në 30% dhe është një rënie e cila nuk len hapësirë për vetë kënaqësi mirëpo me angazhimin e madh të kryetarëve të komunave dhe të nivelit qendror e lokal po shihet që rezultatet po janë evidente dhe shpresojmë që kjo lakore të vazhdojë të bie edhe në të ardhmen dhe me masat që janë në fuqi numri i të infektuarve do të bie”, ka thënë ai për EO.
Sa i përket rishqyrtimit të masave apo lehtësimit, ai ka thënë se njëherë është prioritet që bije numri i të infektuarve dhe pastaj brenda një kohe optimal të rishikohen edhe masat, raporton EO.
“Ne kemi vendosur që për shkak të hapjes së shkollave dhe fillimit të procesit të ri mësimor këto masa ende të jenë në fuqi dhe pastaj do të bëhet monitorimi i situatës në teren dhe varësisht nga tereni do të rishqyrtohen edhe masat dhe është shumë me rëndësi që të kemi një fillim të mbarë të vitit shkollor që numri i të infektuarve të bie dhe pastaj që brenda një kohe optimale do të rishikohen edhe masat”.