Së paku 30 civilë afganë të vrarë në një sulm ajror

Prishtinë | 28 Nën 2018 | 19:32 | Nga Ekonomia Online

Zyrtarët afganë thanë se së paku 30 civilë janë vrarë në një sulm ajror të Shteteve të Bashkuara në provincën Helmand – bastion i talibanëve.

Misioni i NATO-s në Afganistan tha se forcat afgane dhe këshilltarët amerikanë janë sulmuar nga luftëtarët talibanë në një kompleks në qarkun Garmsir dhe kanë kërkuar një sulm ajror, porse forcat tokësore nuk kanë pasur informacione për civilë pranë kompleksit.

Guvernatori i Helmandit, Mohammad Yasin Khan, tha se trupat afgane kanë bërë thirrje për një sulm ajror kundër luftëtarëve talibanë në Garmsir, duke shkaktuar viktima civile dhe talibane.

Khan tha se 16 kryengritës talibanë janë vrarë dhe se po bëhen hetime për të përcaktuar numrin e viktimave civile.

Attahullah Afghan, kreu i këshillit provincial në Helmand, tha se sulmi ajror vrau së paku 30 civilë, pasi goditi shtëpitë në zonë.

Kombet e Bashkuara kanë thënë, muajin e kaluar, se numri i viktimave civile nga sulmet ajrore në nëntë muajt e parë të këtij viti në Afganistan është tashmë më i lartë se në çdo vit të tërë që nga 2009-ta.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme