Sektori i rinisë në kohë pandemie: Cilat janë kërkesat e të rinjve/rejave në Komunën e Pejës?

Prishtinë | 07 Dhj 2020 | 16:24 | Nga Lira Shabi

Kosova si vend me numër të madh të të rinjve gjithmonë është munduar që t’u ofrojë atyre kushtet e favorshme për zhvillimin e aktiviteteve të tyre. Aktivizimi nga të rinjtë e qytetit të Pejës vërehet që ka mangësi. Mungesa e  aktiviteve shpeshherë shihet si pasojë e mos interesimit të të rinjve. Ekziston një numër i madh i hapësirave ku mund të ngriten kapacitetet e të rinjve por sa janë fuksionale ato duhet diskutuar.

Mungesa e  aktivizimit nga ana e të rinjve vjen si pasojë e përkrahjes së ulët nga vetë komuna e Pejës. Sipas kryetarit të komunës, z.Gazmend Muhaxheri, rinia nuk është përkrahur sa duhet gjatë këtij viti. Kjo mungesë e përkrahjes ka ardhur si pasojë e situatës pandemike në të cilën ndodhemi. Si rezultat i kësaj gjendje është anuluar komplet përkrahja ndaj sektorit të rinisë. Komuna e Pejës ishte munduar që të akomodonte të gjitha aktivitetet e planifikuara në formë virtuale.

Gjatë kësaj kohe ishin organizuar takime të ndryshme së bashku me të rinjtë ku fokus i veçantë i është dhënë shëndetit mendor. Në kuadër të këtyre takimeve ishte realizuar një hulumtim nga DKRS-Pejë, në të cilin kishin ndarë mendimet e tyre rreth 150 persona. Ky hulumtim në thelb nxjerr disa ide se si mund të vazhdojnë aktivitetet rinore nëse gjendja pandemike vazhdon gjatë vitit të ardhshëm.

Gjatë kohës kur po diskutohej për planet e komunës për vitin 2020, u diskutua dhe ndikimi I pandemisë në këto plane. Mbështetja e vetme nga komuna e Pejës ishte për klubet sportive pasi që ata ishin të vetmit që respektonin të gjitha masat në përputhje me çdo rekomandim të ‘Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës’. Gjithashtu edhe ngjarjet kulturore që ishin të planifikuara të mbaheshin për këtë vit janë akomoduar në platforma online.

Kësaj radhe përkundër që nuk mund të mbështetnin financiarisht, komuna ka pasur fokus që të sigurojë infrastrukturë më efikase për realizimin e aktiviteve. Përfaqësuesit nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport njoftuan se të gjitha idetë që janë shprehur gjatë kësaj periudhe të vështirë pandemie nuk kanë humbur, dhe janë ruajtur si draft ide për realizim të tyre gjatë vitit të ardhshëm. Zyrtarët komunal gjatë kësaj kohe kishin hartuar edhe një strategji që do të ju mundësojë atyre mbajtjen e aktiviteve në rast se pandemia vazhdon edhe më tutje.

Temë tjetër e diskutimit gjatë Sallonit me Rini, ishte edhe fusha e arsimit dhe ndikimi i pandemisë në mbarëvajtjen e procesit mësimor ku shihej si shqetësim pasi që arsimi online nuk e ka efektin adekuat dhe shumë nxënës po infektohen nga virusi. Në mungesë të ndonjë përfaqësuesi nga Drejtoria Komunale e Arsimit-Pejë, pikëpamjet e tyre u përfaqësuan nga përfaqësues të Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport. Kontaktet që kishin pasur DKRS-Pejë, sqaruan se nxënësit e zonave kryesisht rurale ishin përballur me mungesën e paisjeve teknologjike për të ndjekur procesin mësimor. Sektori i rinisë në kuadër të DKRS-Pejë ka punuar gjatë gjithë kohës që këtyre të rinjve të ju përmbushë kërkesat dhe nevojat në mënyrë që mos të humbet asnjë moment i procesit mësimor, duke i pajisur ata me paisje si laptop dhe tabletë. Njëherit, komuna po bënë të pa mundurën që mësimi të mbahet në mënyrë fizike për të gjithë, por pa e rrezikuar shëndetin e nxënësve.

Diskutimi më i madh nga ndjekësit online ishte për mungesën e subvencioneve për organizatat jo-qeveritare nga ana e Komunës. Mirëpo me prezencen e shefes së rinisë, të rinjtë u inkurajuan që aktivitetet e planifikuara të organizoheshin në mënyrë të atillë që këto të kryheshin pa kosto. Mirpo përsëri komuna shfaqi gadishmëri për krijimin e kushteve të favorshme për zhvillimin e planeve që janë për vitin 2021. Gjithmonë duke shpresuar që viti në vijim të jetë me plane konkrete për sektorin e rinisë.

Të rinjtë shfaqën pakënaqësi edhe sa i përket informimit për ndarjen buxhetore për sektorin e rinisë, mirëpo Komuna e Pejës njihet si lider në mbajtjen e dëgjimeve publike. Ky institucion ka mbajtur gjithsej 13 dëgjime publike gjatë vitit të shkuar.Kryetari i Komunës inkurajoi të rinjtë të marrin pjesë në këto takime sepse ato janë të rëndësishme për përgaditjen e linjave buxhetore. Të rinjtë kanë rol thelbësorë për komunën dhe duhet të jenë më të përfshirë në proceset e vendimmarrjes, dhe jo të mos jenë pjesë e takimeve ku diskutohet për ndarje buxhetore. Promovimi i këtyre mbledhjeve pritet të planifikohet nga zyrtarët komunal dhe rinia e qytetit të Pejës.

Si përfundim panelistët premtuan se do të bënin të pamundurën që të motivonin të rinjtë të jenë pjesë e aktiviteteve jo-formale, dhe të promovonin rëndësinë e tyre. Ata gjithashtu shtuan se pritet që shumë shpejtë e gjithë puna e tyre vullnetare të njihet si punë praktike në momentin që ata aplikojnë për pozita të punës në sektorin publik.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme