Autoritetet në Australi kanë sekuestruar 2.7 ton kokainë në një operacion të madh policor në perëndim të Sydney, duke shënuar konfiskimin më të madh të këtij lloji në historinë e vendit.
Sipas hetimeve, droga me vlerë të përllogaritur rreth 816 milionë dollarë australianë u zbulua në një sistem bunkerësh nëntokësorë të fshehur nën dysheme të rreme brenda tre kontejnerëve transporti në një pronë në zonën Londonderry.
Policia Federale Australiane njoftoi se operacioni, i koduar “Minjiang”, u zhvillua pas disa muajsh hetimesh që nisën në maj, kur një
sasi prej rreth 40 kilogramësh kokainë u gjet në det pranë Midge Point në Queensland.
Gjatë aksionit u arrestuan dy persona, të moshës 21 dhe 25 vjeç, të cilët dyshohet se tentuan të largoheshin nga vendngjarja. Ata janë akuzuar për posedim dhe përfshirje në import të paligjshëm të një sasie të madhe droge dhe rrezikojnë dënim të përjetshëm nëse shpallen fajtorë.
Autoritetet australiane kanë bërë të ditur se rrjeti kriminal dyshohet se ka përdorur një anije transportuese që vepronte si “anije mëmë”, e cila është lokalizuar në Ishujt Solomon, duke sugjeruar një operacion ndërkombëtar të trafikut të drogës.
Komandanti i Policia Federale Australiane, Stephen Jay, tha se rasti tregon nivelin e lartë të organizimit të grupeve kriminale dhe përpjekjet e tyre për të trafikuar sasi të mëdha droge në tregun australian.
Sipas të dhënave të University of New South Wales dhe raportimeve të UNODC, Australia mbetet një nga tregjet me çmimet më të larta dhe normat më të larta të konsumit të kokainës në botë, çka e bën vendin një objektiv kryesor për rrjetet ndërkombëtare të trafikut të drogës.
Hetimet për origjinën e sasisë së sekuestruar dhe identifikimin e të gjithë anëtarëve të rrjetit kriminal po vazhdojnë në bashkëpunim me partnerë ndërkombëtarë.