Selim Pacolli emërohet nënkryetar i Prishtinës

Prishtinë | 27 Dhj 2017 | 14:32 | Nga

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti ka emëruar sot, përmes vendimeve zyrtare edhe disa drejtorë të tjerë, që vijnë nga partitë e koalicionit me të cilat ai ka bërë marrëveshje për bashkëqeverisje në Prishtinë.

Kështu, ai ka emëruar si nënkryetar, kundërkandidatin e tij nga AKR-ja, në zgjedhjet e 22 tetorit, Selim Pacollin. Me AKR-në, Ahmeti pastaj kishte bërë koalicion parazgjedhor për balotazhin e zgjedhjeve të 19 nëntorit, raporton Koha Ditore.

Ahmeti, po ashtu të mërkurën ka emëruar edhe katër drejtorë të Drejtorive komunale, nisur nga vendimi që Dren Kukaj, të vazhdojë të jetë drejtor i Pronës edhe për një mandat, meqë ai kishte mbajtur këtë post edhe në mandatin e shkuar.

Pastaj, drejtor i Arsimit është emëruar Jonuz Salihaj nga AAK-ja, drejtor i Investimeve kapitale është emëruar Gëzim Mehmeti, nga AKR-ja, si dhe drejtor i Inspeksionit Brahim Mehmetaj, nga Lëvizja për Bashkim.

Ahmeti duhet të emërojë edhe katër drejtorë të tjerë, deri në formimin e plotë të kabinetit të tij.

Të ngjashme