Selimaj: Pandemia dhe inflacioni kanë dëmtuar sektorin e ndërtimtarisë, të aktivizohet neni i “Forcës Madhore” në kontrata

Prishtinë | 30 Mar 2022 | 12:17 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Sektori i ndërtuesve dhe prodhuesve të materialit ndërtimor, në kuadër të Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), ka mbajtur një konferencë për medie me temën “Pengesat dhe sfidat e sektorit të ndërtimtarisë në Kosovë”, raporton Ekonomia Online.

Brahim Selimaj, kryetar i këtij sektori në AKB, ka kërkuar që bazuar në kontratat e përgjithshme të ndërtuesve të Kosovës, në bazë të Nenit 18, pika B, për shkak të Forcës Madhore të njihet e drejta e zgjatjes së afatit të punimeve, si dhe rishikim i çmimeve, për shkak të pandemisë dhe inflacionit që ka ndodhur muajve të fundit. Ai theksoi se në të kundërtën do të jetë e papërballueshme për kompanitë si kontraktues të punimeve në ekzekutimin e punimeve të ulëta dhe te larta.

Selimaj, në konferencën për medie, theksoi se pranvera e vitit 2020 solli pandeminë COVID-19, e cila shënoi një epokë dhe sfidë të re edhe për Kosovën dhe institucionet e saja në të gjitha drejtimet.

“Ndikimi i pandemisë ishte jashtëzakonisht i madh në përmbushjen e detyrimeve kontraktuale në projektet kapitale”.

“Ne si Shoqatë e ndërtuesve dhe prodhuesve te materialit ndërtimor kemi shumë vështirësi në furnizime me material, ekzekutime te punimeve, mungese të fuqisë punëtore për realizimin e punimeve të parapara për kontratat e nënshkruara paraprake”, tha Selimaj.

“Në kontratë është precizuar se ‘Forcë Madhore’ është pandemia dhe si e tillë sipas shpjegimit të Nenit 38, pika 1, mund të thuhet se kjo Pandemi dhe situata e krijuar për shkaqe të sigurisë, dhe sidomos lufta në Ukrainë, ka bërë një çrregullim të tregjeve globale në përgjithësi, andaj kemi të bëjmë me një rritje enorme të të gjitha produkteve bazë që variojnë nga 40 deri ne 100% të ngritjes së çmimeve”.

“Mu për këtë kërkojmë nga Qeveria e Republikës së Kosovës që në bazë të Ligjit për Marrëdhënie Detyrimore, në bazë të Nenit 651, ku parasheh ngritjen e çmimeve te materialit ndërtimor me tepër se 2 për qind, atëherë investitori obligohet që të pranojë këtë ndryshim për të gjithë punëkryesit. Përndryshe te gjitha kompanitë tenderuese do te falimentojnë”.

“Nëse kjo kërkesë injorohet nga Qeveria do të ketë ndërprerje te punëve te mëtutjeshme”, paralajmëroi Selimaj.

“Bazuar në nenet 651 dhe 652, të Ligjit për marrëdhëniet e detyrimeve, ne si kompani punëkryese në ndërtimin e Brezit të Gjelbër besojmë se kemi të drejtën e rishikimit të çmimeve të pozicioneve të punëve të pakryera”.

“Inflacioni muajve të fundit në rritje drastike të çmimeve të të gjitha materialeve dhe fuqisë punëtore na pamundëson realizimin e pozicioneve të punëve të mbetura”, ka shtuar Selimaj.

“Nëse do të realizoheshin punimet me çmime të pandryshuara, Kompania do të duhet të investojë shuma të mëdha nga buxheti i saj për të përfunduar punimet, sepse kostoja aktuale e materialeve dhe fuqisë punëtore tejkalon çmimet e dhëna në ofertë dhe rrjedhimisht do të punohej me humbje”, ka theksuar mes tjerash Brahim Selimaj, kryetar i Sektorit të ndërtuesve dhe prodhuesve të materialit ndërtimor, që funksionon në kuadër të AKB-së.

Çfarë parasheh Ligji nr. 04L-077 për Marrëdhëniet e Detyrimeve?

Neni 651 – Ndryshimi i çmimit

1. Në qoftë së me kontratë lidhur me ndryshimin e çmimit nuk është parashikuar diçka tjetër, kryerësi që e ka kryer detyrimin e vet në afatin e parashikuar mund të kërkojë rritjen e çmimit të punimeve në qoftë se në kohën midis lidhjes së kontratës e të përmbushjes së saj kanë ndryshuar çmimet e elementeve në bazë të cilave është caktuar çmimi i punimeve, kështu që do të duhej që ky çmim të ishte më i madh për më shumë se dy përqind (2%).

2. Në rastin kur kryerësi i punimeve me faj të vet nuk i ka kryer punimet në afatin e parashikuar me kontratë, ai mund të kërkojë rritjen e çmimit të punimeve në qoftë se në kohën midis lidhjes së 139 kontratës dhe ditës kur sipas kontratës është dashur të përfundoheshin punimet e elementeve në bazë të të cilave është caktuar, kështu që ky do të duhej sipas çmimeve të reja të këtyre elementeve të ishte më i madh për më se pesë për qind.

3. Në rastet nga paragrafët e mësipërm, kryerësi mund të kërkojë vetëm diferencën në çmimin e punimeve që tejkalon dy (2%) përkatësisht pesë për qind (5%).

4. Kryerësi nuk mund të thirret në rritjen e çmimit të elementeve në bazë të të cilave është caktuar çmimi i punimeve, në qoftë se deri te rritja e çmimit ka ardhur pas ardhjes së tij në vonesë.

Neni 652 – Dispozitat për pandryshueshmërinë e çmimeve

1. Në qoftë se është kontraktuar së çmimi i punimeve nuk do të ndryshojë, në rastin kur pas lidhjes së kontratës rriten çmimet e elementeve, në bazë të të cilave është caktuar çmimi i punimeve, kryerësi mund të kërkojë megjithëse ekziston një dispozitë e tillë e kontratës, ndryshimin e çmimit të punimeve, në qoftë se çmimet e elementeve janë rritur në atë masë që çmimi i punimeve do të duhej të ishte më i madh se dhjetë përlind (10%).

2. Mirëpo, edhe në këtë rast kryesi mund të kërkojë vetëm diferencën në çmimin që tejkalon dhjetë për qind, përveç nëse shtimi i çmimit të elementeve ka ardhur si pasojë e vonesës së tij.

Të ngjashme