Serbët e kroatët kujtojnë të ndarë viktimat e Jasenovcit

Prishtinë | 21 Pri 2018 | 14:44 | Nga

Serbët dhe antifashistët do të përkujtojnë viktimat e kampit kroat të përqendrimit të kohës së Luftës së Dytë Botërore në Jasenovc të shtunën, duke bojkotuar për të tretin vit radhazi përkujtimoren zyrtare shtetërore.

Përfaqësues të komunitetit serb dhe antifashist të Kroacisë do të përkujtojnë viktimat e kampit të përqendrimit të Luftës së Dytë Botërore në Jasenovc ditën e shtunë dhe nuk do të marrin pjesë në eventin zyrtar për shkak të akuzave se shteti ka toleruar revizionizëm historik rreth qeverisë fashiste të vendit gjatë kohës së Luftës së Dytë Botërore.

Këshilli Kombëtar Serb, SNV dhe Aleanca e Luftëtarëve Antifashistë dhe Antifashistëve të Kroacisë do të organizojnë përkujtimoren e së shtunës, duke bojkotuar eventin zyrtar shtetëror që është caktuar për të dielën.

Ky është viti i tretë radhazi që shumica e grupeve më të mëdha të viktimave nga Jasenovaci – serbët, hebrenjtë, romët dhe antifashistët – bojkotojnë përkujtimoren zyrtare dhe organizojnë të tyren.

Bojkotet përkojnë me qeverisjen e dy qeverive të njëpasnjëshme të qendrës së djathtë të udhëhequra nga Bashkimi Demokratik Kroat, HDZ.

Të dy qeveritë janë akuzuar se kanë toleruar revizionizëm historik në rritje brenda shoqërisë dhe kanë zvogëluar krimet e kryera nga lëvizja fashiste ustashe e Luftës së Dytë Botërore, e cila drejtoi kampin në Jasenovac.

Në vitin 2017, Ministria e Veteranëve të Luftës i dha 5.600 euro për hulumtime në materialin e arkivuar mbi Jasenovacin një OJQ-je në Zagreb, Shoqatës për Hulumtim të Kampit të Trefishtë të Jasenovcit, e cila pretendoi se komunistët jugosllavë krijuan dy kampe përqendrimi pas Luftës së Dytë Botërore në vendin e ish-kampit ustash.

Ky pohim nuk mbështetet nga shumica e dokumenteve historike dhe hulumtuesit e historisë.

Sasa Miloseviq, zëvendëskryetar i SNV-së, tha për BIRN se përkujtimorja e veçantë ishte një apel për të ndryshuar atmosferën mbizotëruese në shoqëri përsa i takon Jasenovacit dhe të kaluarës ustashe të Kroacisë.

“Aktualisht, zërat që avokojnë kundër antifashizmit apo revizionizmit historik, që zvogëlojnë, shpërfillin ose i mohojnë këto krime, janë shumë më të fortë brenda autoriteteve dhe në shoqëri,” tha Miloseviq.

Ai tha se vendi i memorialit të Jasenovcit është neglizhuar krejtësisht në sferën publike dhe nga mediat dhe kujtohet vetëm një herë në vit për “një ngjarje ceremoniale protokolli”.

“Kujtimi i Jasenovcit nuk është i pranishëm në tekstet tona shkollore dhe nëpër shkolla dhe vendi i memorialit rrallë vizitohet nga ndonjë”, tha Miloseviqi, duke shtuar se vitin e kaluar Jasenovacin e vizituan më shumë turistë italianë sesa qytetarët kroatë.

Deputeti i komunitetit rom në parlament, Veljko Kajtazi – i cili mbështet HDZ – tha se ai do të marrë pjesë në të dyja përkujtimoret dhe gjithashtu u bëri thirrje të gjitha grupeve të ndryshme të marrin pjesë në përkujtimoren e Ditës së Përkujtimit të Gjenocidit të Romëve më 2 gusht.

Komuniteti hebre kroat gjithashtu po bojkoton ngjaren zyrtare dhe organizoi përkujtimoren e vet më 15 prill.

Në përkujtimore, Ognjen Kraus, kreu i komunitetit hebre në Kroaci, kritikoi një propozim të Këshillit të formuar nga qeveria për Trajtimin e Pasojave të Sundimit të Regjimeve Jo-Demokratike në shkurt që slogani ustash “Za dom spremni” (“Gati për atdhe) mund të tolerohet në rrethana të jashtëzakonshme kur përkujton njësitë kroate të viteve 1990 që e përdorën atë – pavarësisht se slogani është antikushtetues sipas ligjit të vendit.

Kraus kërkoi që slogani të ndalohet plotësisht në Kroaci për çfarëdolloj përdorimi.

Presidentja kroate Kolinda Grabar Kitaroviq gjithashtu nuk do të jetë në Jasenovc për të katërtin vit radhazi. Aktivisti veteran i të drejtave të njeriut Ivan Zvonimir Cikak do ta përfaqësojë atë.

Megjithatë, ajo bëri një vizitë të lajmëruar në Qendrën Përkujtimore në Jasenovc të premten, u bëri nderimet e saj viktimave dhe dënoi krimet e kryera atje, tha Zyra e Presidentes.

Në vitin 2016, ajo tha se nuk do të merrte pjesë në përkujtimoren e Jasenovcit apo në përkujtimoren në Bleiburg në Austri, kushtuar trupave fashiste kroate dhe civilëve të vrarë në vitin 1945 nga forcat partizane jugosllave që të mos “thellonte më tej ndarjet në shoqëri”.

Sipas listës së përpiluar emër më emër nga Qendra Përkujtimore e Jasenovcit, ustashët vranë 83,145 serbë, hebrenj, romë dhe antifashistë në kamp në mes të gushtit 1941 dhe prillit 1945.

Serbët, hebrenjtë dhe romët u përndoqën për përkatësinë e tyre etnike dhe fetare.

Përkujtimoret e përvitshme organizohen në vendin e ish-kampit për të shënuar përpjekjen e fundit për t’u larguar nga ana e të burgosurve më 22 prill 1945, para se ustashët ta likujdonin totalisht kampin.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme