Lista Serbe mbetet e vendosur rreth qëndrimit të tyre për formimin e ushtrisë së Kosovës. Derisa presidenti Thaçi ka thënë se do t’i shterojë të gjitha mundësitë në diskutime me ta, analistët kosovarë thonë se ata mund t’i bindë vetëm bashkësia ndërkombëtare
Shefi i Zyrës për Kosovën në qeverinë serbe, Marko Gjuriq, ka bërë të qartë se Qeveria e Kosovës nuk do të mundë ta bindë Listën Serbe që të votojë pro ndryshimeve kushtetuese për formimin e ushtrisë së Kosovës.
Ai i vendosur thotë se me asnjë logjikë të shëndoshë serbët nuk do të binden për një gjë të tillë. Ky reagim i Gjuriqit erdhi menjëherë pas deklaratës së presidentit Thaçi, i cili tha se do ta nisë dhe do ta udhëheqë një proces të diskutimeve me përfaqësuesit politikë të serbëve të Kosovës për t’i shteruar të gjitha mundësitë e koordinimit me ta për krijimin e ushtrisë së Kosovës.
E këtë iniciativë të presidentit Thaçi Gjuriq e ka quajtur tentim për blerje nga “separatistët” kosovarë. Për këtë ka reaguar edhe Qeveria e Kosovës. Sipas tyre, serbët në Kosovë gëzojnë të drejta të barabarta me qytetarët e tjerë. Kurse njohësit e çështjeve politike në vend thonë se serbët në Kosovë janë të diskriminuar pozitivisht. Sipas tyre, Marko Gjuriq po i frikësohet përçarjes së Listës Serbe.