Serbia hap kapitull të ri negociatash me Bashkimin Evropian

Prishtinë | 11 Dhj 2019 | 10:05 | Nga Ekonomia Online

Serbia a hapur një kapitull të ri në negociatat e pranimit me Bashkimin Evropian në Konferencën Ndërqeveritare mbrëmë në Bruksel, transmeton Gazeta Metro.

Në këtë konferencë, Serbia hapi Kapitullin 4 për lirinë e lëvizjes së kapitalit. Hapja e këtij kapitulli do të thotë se Serbia aktualisht ka hapur 18 kapituj, dy prej të cilëve janë mbyllur përkohësisht.

Ministrja për Integrime Evropiane, Jadranka Joksimovic pas hapjes së këtij kapitulli tha se hapja e 18 kapitujve do të thotë është më shumë se gjysma dhe kjo është një shenjë pozitive për rrugën evropiane të Serbisë.

‘Ne kemi hapur kapitullin 18 në negociatat tona të pranimit, 18 nga 35, kjo do të thotë se kemi hapur më shumë se gjysmën. Hapja e Kapitullit 4 për lëvizjen e lirë të kapitalit nuk është vetëm një sinjal për rajonin ose një mënyrë për të treguar se politika e zgjerimit është e gjallë, hapja e këtij kapitulli do të thotë që Serbia po zbaton reforma’, tha ajo.

Siç thotë Komisioneri për Zgjerim, Oliver Varhelyi, hapja e këtij kapitulli është një sinjal pozitiv edhe për Ballkanin Perëndimor, por edhe për politikën e zgjerimit.

Kujtojmë se gjatë muajit tetor Franca, Danimarka dhe Holanda ishin tri vendet të cilat kundërshtuan hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, duke zbehur kështu politikën e zgjerimit me këto dy vende të Ballkanit Perëndimor.

Të ngjashme