Ministri i Mbrojtjes në Serbi, Aleksandar Vulin, deklaroi sot se nëse në Kosovë shfuqizohet Gjykata Speciale atëherë mund të ndërprehet dialogu.
Vulini ka thënë se ka paralajmëruar që Kosova do ta zhbëjë Specialen, pasi sipas tij nuk ka interes për të gjykuar krimet ndaj serbëve.
Ministri serb foli edhe për rrjedhën e dialogut. Sipas tij formati i bisedimeve nuk mund të ndryshojë. Nëse një gjë e tillë synohet të ndodhë atëherë ajo do të realizohej vetëm me pëlqimin e Serbisë.
“Nëse Prishtina nuk është e kënaqur me formatin, dhe në qoftë se dëshirojnë ta ndryshojnë, atëherë kjo do të ishte e njëanshme”, ka thënë Vulin.
Vulin shprehu kënaqësinë se Rusia ka shprehur gatishmëri për të marrë pjesë në dialog, nëse eventualisht ka ndryshim të formatit.
“Të gjithë duhet ta dinë se nëse synohet ndryshimi i formatit apo përmbajtjes, kjo nuk mund të ndodhë edhe pa vullnetin e Serbisë”, deklaroi ministri serb i mbrojtjes.
Ndryshe gjatë vizitës së fundit që presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pati në Rusi, Putini tha se do ta mbështeste çdo marrëveshje ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.