Serbia zbaton “këshillën ruse” për moszbatim të Ohrit, Beogradi kundër anëtarësimit të Kosovës në KiE

Prishtinë | 27 Gus 2023 | 12:02 | Nga Ekonomia Online

Në Marrëveshjen e Brukselit (2013), e njohur si Marrëveshja e Parë e Parimeve që Drejtojnë Normalizimin e Marrëdhënieve, Kosova dhe Serbia, në pikën e 14’të të saj zotoheshin “të mos bllokojnë ose nxisin tjerët të bllokojnë” njëra tjetrën në rrugët përkatëse evropiane të tyre.

Në atë marrëveshje, Serbia, siç tregonte ish-Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian, Catherine Ashton në librin e saj “Dhe çfarë pastaj – Tregime nga brenda të diplomacisë së shekullit 21”, ndonëse nuk kishte pranuar që të mos pengonte rrugën e Kosovës drejt anëtarësimit të plotë në organizata ndërkombëtare, kishte pranuar që të përfshihej vetëm “mospengesa” e rrugëve evropiane.

Ndërkaq në Marrëveshjen e Ohrit, dhjetë vite më vonë u konkludua ajo që me muaj quhej plani frankogjerman, specifikohet (Neni 4) që Serbia nuk do ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare.

E para që do të ngriste kokën kundër këtij neni do të ishte Federata Ruse dhe ambasadori i saj në Beograd, Aleksandar Boçan Harçenko, i cili shprehej “i përçudnuar” se Serbia kishte pranuar një marrëveshje ku i hap dyert Kosovës në konsolidimin përfundimtar dhe ndërkombëtar të shtetit.

Harçenko, do paraqitej në një seri intervistash për të shpjeguar se “esenca” e këtij plani, “është njohja”. Sepse po qe se e pranon Beogradi këtë plan, thoshte rusi Harçenko, “atëherë Kosovën e konsideron si subjekt të së drejtës ndërkombëtare”, derisa shton se “atëherë Kosova ekziston si shtet”.

“Kjo është tenativë e Perëndimit për të gjetur rrugën e tërthorë që Serbia ta njohë Kosovën dhe që ajo të futet në institucionet ndërkombëtare, në rend të parë në OKB”, pati deklaruar ai.

“(Marrëveshja) drejtpërsëdrejti deklaron që Serbia nuk e parandalon hyrjen e Kosovës në organizata ndërkombëtare. Anipse Perëndimi provon ta paraqesë atë si plan për normalizimin e jo për nohje, esencialisht është njohje”.

“Nëse shteti [serb] jep pëlqimin për anëtarësimin [e Kosovës] në organizata ndërkombëtare, atëherë Kosova në këtë rast është subjekt i të drejtës ndërkombëtare, dhe si shtet anëtar të OKB-së, atëherë Kosova ekziston si shtet”, pati thënë ai për Novosti.

Saktësisht kësaj “këshille”, që lexueshëm kaherë ka qenë edhe “urdhër”, lojtari mbase më pro-rus në qeverinë serbe, Ivica Daçiq, njoftoi hiç më larg se ditë më parë, që do t’i qëndrojë në plotni.

Ivica Daçiq sheshazi tregoi se Serbia nuk e ka ndërmend të zbatojë Nenin 4, kur në një takim me Shefin e Zyrës së Këshillit të Evropës në Beograd, Tobias Flesenkember, i tha këtij të fundit se “është i papranueshëm” trajtimi i aplikacionit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

“Serbia do ta kundërshtojë atë”, i tha Daçiq zyrtarit të KiE-së në Beograd.

“Shefi i diplomacisë serbe Daçiq ka shfrytëzuar rastin që t’ia përsërisë bashkëbiseduesit qëndrimet tona për papranueshmërinë e kërkesës së Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës”, u tha në një komunikatë për media të MPJ-së serbe.

Në fazën e parë të trajtimit të aplikimit të Kosovës në Këshill të Evropës, që kaloi me sukses për në fazë të dytë, Serbia eksplicit doli kundër kësaj, ndonëse ka pranuar Marrëveshjen e Ohrit, që e obligon të mos e pengojë dhe kundërshtojë në asnjë mënyrë.

Madje edhe vetë Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kaherë dhe publikisht është shprehur se nuk bëhet fjalë që zbatojë Nenin 4 që do të mund të çonte në anëtarësimin e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

“Palët do të procedojnë me supozimin se asnjëra nga të dyja nuk mund të përfaqësojë tjetrën në sferën ndërkombëtare ose të veprojë në emër të saj. Serbia nuk do të kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare” thuhet në Marrëveshjen e Brukselit”, thotë Neni 4 i Marrëveshjes së Ohrit.

Të ngjashme