Shaban Murati promovon librin “Kalvari Diplomatik i shtetit të Kosovës”

Prishtinë | 15 Nën 2018 | 11:06 | Nga Medina Mehmeti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës u promovua libri “Kalvari Diplomatik i shtetit të Kosovës”, i autorit Shaban Murati.

Gjatë këtij promovimi, ambasadori Beqir Ismaili, drejtor i Akademisë Diplomatike të Republikës së Kosovës, tha se ky libër ka vlerë të madhe shkencore, diplomatike dhe ndërkombëtare.

“Në kuadër të aktiviteteve të saj, Akademia Diplomatike i kushton rëndësi të veçantë promovimit të librave. Konsiderojmë se libri ka një vlerë të madhe në lëminë shkencore, diplomatike dhe ndërkombëtare. Përvojat e ambasadorit dhe si drejtor i përgjithshëm i Akademisë në Shqipëri do të shërbejë në ngritjen e njohurive profesionale të  diplomatëve të Kosovës. Veprat e Shaban Muratit përbëjnë një gamë të gjerë të njohurive shkencore historike dhe diplomatike. Ju premtoj se Akademia Diplomatike do të jetë krahë mbështetës për promovimin e librave të tilla”, ka thënë Ismaili, raporton Ekonomia Online.

Mehdi Gurra, kryetar i fondacionit Alsar, pati fjalë të mëdha për autorin.

“Kalvari diplomatik i shtetit të Kosovës” ka merituar kështu një tjetër analizë, një tjetër vështrim faqe më faqe, një tjetër paraqitje të imtësishme, këtë herë për publikun e kryeqytetit kosovar. Një shikim i hollë analitik, publicistik, “Kalvari diplomatik i shtetit të Kosovës” është vëzhgim, kritikë e këshillë njëkohësisht prej një publicisti tepër aktiv, të mirënjohur dhe në Kosovë”.

“Diplomat karriere, “Mjeshtër i Madh” në diplomaci, njohës i shkëlqyer i marrëdhënieve ndërkombëtare, ekspert i Kosovës dhe i Ballkanit, me përvojë disadekadëshe në politikën e jashtme, z. Shaban Murati na rrëfen në këtë libër ecejaket e një diplomacie të ndeshur me sfida të jashtëzakonshme që në ditët e para të saj”.

“Botimi për të cilin jemi mbledhur është një përmbledhje artikujsh të autorit shkruar përgjatë njëzet viteve, kohë gjatë së cilës Kosova i ka përjetuar të katër stinët, si ditët me shi dhe ato me diell, si thëllimën e dimrit dhe puhizën pranverore”.

“Përkundër shtrirjes së konsiderueshme në kohë të shkrimeve të këtij botimi, ato nuk e kanë humbur aspak aktualitetin, aq më tepër nëse marrim në konsideratë faktin se Kosova gjendet në një moment delikat të dialogut me fqinjin serb, me të cilin ka një të shkuar të hidhur, vështirë të kapërcyeshme”.

“Në libër ndeshim Rambujenë, lexojmë për të drejtën e Kosovës për reparacione, lexojmë për serbizimin e diplomacisë spanjolle, për Kishën Ortodokse Serbe dhe reputacionin e saj negativ ndërkombëtar, për sjelljen e BE-së dhe gabimet e vazhdueshme në lidhje me Serbinë, për tezën folklorike të pajtimit të serbëve me shqiptarët, për qëndrimin amerikan dhe rus, në kahe të kundërta, sigurisht, lexojmë për Preshevën dhe Mitrovicën, për Tiranën zyrtare dhe detyrat e saj”.  

“Murati shkruante dy vite më parë se Kosova ka shumë për të mësuar nga “diplomacia e përplasjes së këmbëve” që ka ndjekur me sukses Serbia ndaj faktorit ndërkombëtar në Ballkan gjatë 25 viteve të fundit, se ka ardhur koha që diplomacia e Kosovës t’i japë përparësi me forcë kërkesës për ndalimin e çdo veprimtarie të Serbisë kundër anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare”.

“Ai nuk ngurron të thotë se Serbia po ngutet ngaqë e di se diplomacia shqiptare në ngutje hutohet dhe i humbet përherë ndeshjet diplomatike. Nuk druhet të thotë se Kosova i ka bërë një dhuratë të madhe Serbisë me bisedimet “në vend-numëro” me të në Bruksel, se shteti viktimë nuk mund të vërë shenjën e barazimit me shtetin agresor”.

“Me daljen e tezës së korrigjimit të kufijve apo të shkëmbimit të territoreve, autori shkruante pak muaj të shkuar se nxjerrja në plan të parë e kësaj çështjeje ishte gabim, madje gabimi i parë. Aq kritik është z. Murati në këtë aspekt, sa shkruan se vetëm presidenti serb nuk duket i dehur në këtë katrahurë diplomatike ballkanike, teksa flet për korrigjim kufijsh midis shqiptarëve dhe serbëve, e jo midis dy shteteve, duke e llogaritur akoma Kosovën si provincë serbe”.

Në faqen e fundit të “Kalvarit diplomatik të shtetit të Kosovës”, diplomati me shumë emër i thotë Prishtinës se rendi i prioriteteve diplomatike dhe strategjike të Kosovës është i thjeshtë, se prioriteti i prioriteteve është njohja e shtetit të Kosovës nga Serbia”.

Profesori, Ibrahim Gashi, tha se libri është një përmbledhje e shkrimeve autoriale me tematikë Kosovën.

“Shumë tema që kanë të bëjnë me të drejtat e Kosovës për operacione, çështja e kufijve, e Preshevës janë trajtuar në këtë libër”, ka thënë Gashi.

Profesori, Memli Krasniqi, tha se largpamësia e autorit shihet në analizën që i bënte deklaratë të shtetarëve amerikanë në prag të Konferencës së Rambujesë.

E autori Shaban Murati tha se është emocion i veçantë të shkruajë për Kosovën.

“Ky është libri i tretë që kam shkruar për Kosovën. Për mua është një emocion i veçantë të jem në mjedisin tuaj sepse Kosova për mua ka qenë një dashuri profesionale. Nuk ka në Tiranë njeri qe ka shkruar për Kosovën më shumë se unë. Në krijimtarinë time nuk është se unë thjesht kam shkruar artikuj dhe i kam mbledhur këto artikuj. Unë kam pasur një parim, të zbatoj parimin e mozaikut. Kam nisur te jap portretin diplomatik.  Diplomacia është një disiplinë shumë e varfër për të cilën kemi nevojë të japim mendim”, është shprehur autori i librit.

Të ngjashme