Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë (DHTIT), si çdo vit, organizoi më 17 dhjetor 2025 mbrëmjen gala të ndarjes së çmimeve për sipërmarrësit më të mirë të vitit – CCIT Awards e ku pjesë mori edhe Kryetari i Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB), Agim Shahini.
Kjo mbrëmje iu dedikua sipërmarrësve që kanë kontribuar ndjeshëm në zhvillimin e ekonomisë së vendit, përmes krijimit të vendeve të reja të punës, inovacionit dhe ndërtimit të një mjedisi biznesi më të qëndrueshëm. Për këtë arsye, DHTIT nderoi 29 kompani, të ndara në 6 kategori: Të Pathyeshmit, Mbretërit e Industrisë, Fisnikët, Legjendat, Të Pakapshmit dhe Unikët.
Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, Nikolin Jaka, në fjalën e tij hapëse theksoi rëndësinë e rolit të sipërmarrjes shqiptare në forcimin e ekonomisë kombëtare dhe në ndërtimin e një modeli të qëndrueshëm zhvillimi.
“Ky event, tashmë i kthyer në një traditë të konsoliduar, është më shumë sesa një ceremoni çmimesh. Ai është një moment reflektimi mbi rrugëtimin tonë të përbashkët, një festë për të nderuar sipërmarrjen shqiptare që, me guxim, inovacion dhe profesionalizëm, i jep dinamizëm së ardhmes ekonomike të vendit”, tha Jaka.
Në ceremoninë e çmimeve mori pjesë edhe Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Shkëlqesia e Tij, Bajram Begaj, i cili përgëzoi sipërmarrjen shqiptare për arritjet dhe kontributin e vazhdueshëm në shoqëri dhe ekonomi.
“Sipërmarrja shqiptare, gjatë tre dekadave e gjysmë të transformimit të vendit, ka dëshmuar qëndrueshmëri dhe dinamizëm. Bizneset janë përshtatur dhe kanë sjellë risi, duke krijuar vende pune, investuar në teknologji, zgjeruar tregjet dhe forcuar konkurrueshmërinë e ekonomisë sonë”, theksoi Presidenti Begaj.
Mbrëmja u nderua gjithashtu nga pjesëmarrja e ish-kryeparlamentarit shqiptar të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, kryetarit të Komunës së Strugës, Mendi Qyra, ministrit të Shëndetësisë të Maqedonisë së Veriut, Azir Aliu, si dhe personaliteteve të tjera të rëndësishme nga komuniteti i shqiptarëve të suksesshëm në trevat shqipfolëse.



