Kryetari i Partisë për Veprim Demokratik dhe kryesuesi i listës zgjedhore “Alternativa Demokratike Shqiptare – Lugina e Bashkuar”, Shaip Kamberi deklaroi se sot përfaqësuesit e kësaj liste ia përcollën presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kërkesat e tyre dhe shtoi se pasi të marrë përgjigjen do të shqyrtojnë nëse eventualisht do të bëhen pjesë e e Qeverisë së re, raporton agjencia FoNet, transmeton Koha.net.
Presidentit Vuçiq ia dorëzuam kërkesat tona me shkrim. Në radhë të parë duhet të bisedohet për integrimin, për problemet rreth arsimit, për zhvillimin ekonomik dhe pjesëmarrjen tonë të dukshme në ato institucione. Vetëm pasi të marrim përgjigje do të shqyrtojmë eventualisht ofertën për t’u bërë pjesë e Qeverisë së re”, u ka deklaruar gazetarëve Shaip Kamberi, pas takimit me presidentin Vuçiq, në kuadër të konsultimeve për formimin e Qeverisë së re.
Kamberi tha se kërkesat që ia dorëzuan Vuçiqit vite me radhë i kanë parashturar para qeverive të Serbisë.
“Veçmas shtrohen çështja e integrimit të shqiptarëve në institucionet e sistemit, institucionet shtetërore, problemet ekzistuese në arsim në lidhje me librat dhe mosnjohjen e diplomave nga Kosovca, pastaj çështja e komunave të pazhvilluara. Kërkuam që edhe në lidhje me këtë shteti të ndërmarrë diçka”, ka thënë Kamberi.
Ai përmendi si shembull pozitiv fatin e punësimit kohë më parë të 11 mjekëve shqiptarë, në bazë të urdhrit të Vuçiqit, në Bujanoc e Preshevë, që dëshmon se kur ka vullnet politik problemet mund të zgjidhen”.
Ai tha se kjo është hera e katërt që bisedon me presidentin e Serbisë.
“Shpresoj që këtë herë të ketë vullnet të mirë politik, vullnet të ri në Beograd që me përfaqësuesit shqiptarë të bisedohet për nivelin e zgjidhjes së problemeve jetësore që ekzistojnë ndër ne”, ka thënë Kamberi.
Ai është shprehur i gatshëm të bisedojë edhe me manadatarin e ri dhe me kryeministrin.
“Problemet tona janë të qarta tash 20 vjet, që nga ai programi i famshëm për zgjidhjen e krizës në komunat Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, më 2001, çësthjet e shtruara atëherë deri më tash nuk janë zgjidhur” ka theksuar Kamberi.
Siç ka thënë ai, përbërja kombëtare e institucioneve që veprojnë në një komunë duhet të reflektojnë strukturën e popullsisë që jeton në ato komuna.
“Te ne ka institucione të shtetit në të cilat numri i shqiptarëve është ose simbolik ose fare nuk ka, që tregon se shteti deri më tash nuk ka dëshmuar vullnet përkatës që shqiptarët t’i trajtojë si qytetarë të barabartë në përputhje me të tjerët”, është shprehur ai.
Ai konsideron se shqiptarët duhet të jenë “të përfaqësuar në të gjitha institucionet shtetërore që veprojnë, që nga ato gjyqësore, të inspeksionit, doganë, Drejtorinë e të ardhurave publike, në të gjith instucionet shtetërore që janë kompetente për komunat tona, që kanë atje filialet, ose të cilat punojnë si shoqata në Bujanoc, Preshevë dhe Medvegjë ose që veprojnë në Vranjë”.
Hyrja e përfaqësuesve shqiptarë në Qeverinë e re varet nga ajo se çfarë do t’u ofrojë pakiucave kombëtare, posaçërisht shqiptarëve, programi i mandatarit të ri dhe Qeveria, si dhe çfarë do të jetë raporti i Qeverisë ndaj problemeve që i përmenda, tha Kamberi.
“Nuk është fjala vetëm për një vend të sekretarit shtetëror ose diç tjetër, për ne është me rëndësi që të fillohet me zgjidhje të problemeve atje ku ekzistojnë, ndërsa çështja më e rëndësishme është integrimi i shqiptarëve në të gjitha institucionet shtetërore që veprojnë në komunat tona”, ka thënë Kamberi.
Pas deklaratës së Shaip Kamberit, kryetari i Shoqatës së familjeve të të kidnapuarve dhe të vrarëve në Kosovë, Simo Spasiq nisi të brohorasë “Thaçi, Haradinaj, Limaj, Veseli kriminelë”!.