Gëzim Shala nga IKD-ja ka deklaruar se nëse nis gjykimi i të akuzuarve në Speciale në shtatorin e vitit 2021, atëherë mund të cenohet efektiviteti i procedurës penale dhe parimet siç janë gjetja e së vërtetës dhe barazia e anëve.
Ai në “Express Intervistë” ka thënë se barazia e palëve në një procedurë penale është gjëja kryesore.
“Nga ajo që kemi parë Zyra e Prokurorit të Specializuar ka kërkuar që jo më larg se shtatori i 2021 të fillojë gjykimi, derisa mbrojtja e të akuzuarve ka kërkuar që ky afat të jetë të paktën deri në qershor të vitit 2022. Në rastin konkret është e rëndësishme të theksojmë se një nga parimet që duhet të jetë i respektueshëm në secilën procedurë penale është barazia e palëve, ajo ndërmjet prokurorit dhe palës së të akuzuarve. Dhe në rastin konkret nëse bëhet fjalë për një rast shumë voluminoz dhe duke u nisur nga fakti se Prokurorit i janë dashur disa vite për të hetuar për të ngritur aktakuzën, atë që kemi sot. Është normale që edhe mbrojtja të kërkojë më shumë kohë”, ka thënë Shala.
Shala shton se zvogëlimi i afatit do të dëmtonte edhe pozicionin e palëve të akuzuarve.
“IKD-ja konsideron se kërkesa e avokatëve mbrojtës në rastin konkret është shumë e drejtë dhe reale që ky gjykim të mosfillojë deri në qershorin e vitit 2022 në mënyrë që pala të ketë mundësi që pala e akuzuar të përgatitë mbrojtjen”, ka thënë Shala.
Ai ka thënë se për dhjetë muaj pala mbrojtëse ka në dispozicion për të shikuar gjithë ato dokumente, e nëse shihet koha e gjatë e mbledhjes së provave atëherë shihet një disbalancë i madh.
“Përderisa Prokurorit të Specializuar i janë dhënë mundësi disa vite që të shqyrtojë këto prova, për të ngritur këtë aktakuzë, është jashtëzakonisht e padrejtë që t’i thuhet palës mbrojtëse se ne kemi barazi të anëve. Mirëpo nëse ne kemi pasur 4 apo 5 vite, ju do t’i keni vetëm dhjetë muaj. Dhe nisur nga fakti se Prokurori ka deklaruar se këto raste janë shumë të komplikuara dhe kemi të bëjmë me numër të lartë të provave dhe për këtë arsye deri në këtë kohë s’kemi vepruar, atëherë në rastin konkret është e paarsyeshme”, ka thënë Shala.
Sipas tij dy parime mund të dëmtohen me këtë rast: parimi i barazisë së anëve që në kuadër të shkencave penale ka një dominim kundrejt parimit të ekonomizimit të procedurës penale dhe poashtu parimi kryesor i procedurës penale që është gjetja e së vërtetës.
“Për këtë arsye nuk mund të thirremi në një parim dhe të cenojmë parimet e tjera. Është e domosdoshme që të jepet një afat më i madh. Nëse shkojmë me afatin e shtatorit 2021 ne konsiderojmë se mund të cenohet efektiviteti i procedurës penale dhe parimet siç janë gjetja e së vërtetës dhe barazia e anëve. Thuhet se janë rreth 200 dëshmitarë, e në kuptim të mbrojtjes atëherë ata duhet të përgatisin kundër argumentit. Paraqitja e parë që është mbajtur në këto raste ka shkuar konform rregullave”, ka thënë ai.
Çështja kryesore, sipas tij, do të jetë në fillimin e procesit gjyqësor.
Ai ka folur edhe për mundësinë që të akuzuarit të gjykohen në liri.
“Ligji për Dhomat e Specializuara specifikon se në mënyrë që i pandehuri të mbahet në paraburgim duhet të plotësohen bazat e njëjta siç janë edhe në kodin e procedurës penale e që është fillimisht dyshimi i bazuar për kryerjen e një vepre penale dhe më pastaj tri bazat e veçanta për të cilën çdo dy muaj duhet t’i argumentojë Prokurori i Specalizuar e që është rreziku i arratisjes, ndikimi në dëshmi, dëshmitarë apo prova materiale dhe rreziku i përsëritjes së veprës. Në rastin kur Prokurori nuk arrin të argumentojë këto fakte atëherë i akuzuari duhet të mbrohet në liri”, ka thënë ai.
Sipas tij kjo procedurë mund të zgjasë të paktën pesë vite.