Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, i shoqëruar nga kandidatja për Kryetare të Pejës, Sabiha Shala, pas takimit me përfaqësues të bizneseve, arkitektë, mjekë, ekonomistë dhe profesorë, kanë vizituar dhe disa qendra tregtare e dyqane afaristësh në qendër të Pejës.
“Ishte kënaqësi që së bashku edhe një herë morëm konfirmimin e shumë qytetarëve, biznesmenëve dhe afaristëve, që do të votojnë për fitoren e PDK-së me 22 Tetor”, ka shkruar Shala, në faqen e saj në Facebook.
“Qytetarëve të Pejës po i kthehet dinjiteti dhe shpresa për zhvillim ekonomik, mirëqenie sociale dhe një jetë më të mirë”, ka theksuar ajo.
Kreu i PDK-së i ka siguruar ndërmarrësit pejanë se kandidatja Sabiha Shala do të ketë përkrahje të plotë nga institucionet qendrore për realizimin e projekteve kapitale në Komunën e Pejës, si dhe për hapjen e vendeve të reja të punës për të rinjtë.