Doktori i pensionuar Mazllum Belegu në një intervistë për “Zërin” ka folur për sfidat të cilat i janë paraqitur në misionin e tij humanitar për trajtimin e fëmijëve me sëmundje të lindura të zemrës nëpërmjet një ekipi të mjekëve amerikanë. Thotë se në Klinikën e Pediatrisë po e shantazhojnë me qëllim dhe kjo po rrezikon që mjekët të mos vijnë në Kosovë për t’i identifikuar fëmijët nevojtarë.
Ka marrë përsipër t’u ndihmojë fëmijëve, të cilët kanë probleme të lindura me zemrën. Deri më tash falë angazhimit të doktorit të pensionuar Mazllum Belegut, ish-dekan i Fakultetit të Mjekësisë dhe ish-drejtor i Qendrës Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut, janë operuar nga një ekip i mjekëve amerikanë 73 fëmijë nga Kosova. Por atij dhe organizatës “Gift of Life Internacional”, që po mbështet financiarisht këto intervenime, i janë paraqitur sfida në organizimet e intervenimeve mjekësore, saqë thotë se nuk është larg dita që ta lërë gjithë këtë aktivitet. Ai shprehet se po shantazhohet në Klinikën e Pediatrisë, konkretisht nga kardiologu pediatrik Ramush Beiqi. Dhe për këtë thotë se ka njoftuar edhe menaxhmentin e SHSKUK-së, por edhe atë të Klinikës së Pediatrisë, të cilët deri më tani nuk kanë ndërmarrë asgjë që të ndërpriten shantazhet.
Zëri: Doktor, tash e disa vite e keni nisur një aktivitet humanitar për dërgimin e fëmijëve me anomali të lindura të zemrës për mjekim në SHBA, si ju erdhi kjo ide?
Belegu: E kemi nisur moti. Ka qenë diku viti 2005 dhe erdhi një vajzë e Pejës, që jeton në Amerikë, ajo ka qenë kryetare e shoqatës shqiptaro-amerikane “Motrat Qiriazi” dhe ishte e gëzuar se kishim formuar klubin “Rotary” dhe na tha se është shumë e lumtur që do të mundë të na siguronte 10 vende, ku do të mundnim të dërgonim fëmijë me vese të lindura të zemrës. Unë si mjek isha deklaruar se do t’ua merrja në Ministri të Shëndetësisë historitë dhe do t’ua dërgoja atje ku duhet dhe po shohim se çka po bëjmë. Më në fund erdhi puna për të shkuar një fëmijë dhe pastaj përfundoi ajo.