Xherdan Shaqiri e ka konfirmuar lëndimin e radhës të tij, duke thënë se e ka pasur një problem të vogël në stërvitje, mirëpo shpreson të kthehet gjatë kësaj jave. Përfaqësuesi zviceran me origjinë shqiptare ka pasur probleme të mëdha me lëndime këtë sezon.
28-vjeçari nuk pati mundësi të luajë në fitoren e së dielës të Liverpoolit kundër Manchester Unitedit, pasi që e pësoi një lëndim të vogël në muskujt e këmbës gjatë stërvitjeve. Megjithatë, Shaqiri beson se ai do të jetë gati për ndeshjen e së enjtes kundër Wolves, transmeton Gazeta Express.
“S’është diçka serioze, e pata një problem të vogël në stërvitje. Kështu që shpresoj të kthehem më vonë këtë javë. Le ta shohim, nuk mund të them asgjë për momentin, por shpresoj të kthehem”, ka thënë Shaqiri.
Shaqiri i ka bërë vetëm dhjetë paraqitje këtë sezon, për shkak të lëndimeve dhe preferencës së trajnerit Jurgen Klopp për të luajtur me lojtarë të tjerë.
Përkundër që s’ka pasur shumë mundësi për ta dëshmuar veten këtë sezon, Shaqiri dëshiron t’i lërë lëndimet pas vetes dhe të vazhdojë ta ndihmojë skuadrën e tij.
“Unë po qëndroj pozitiv dhe unë ende tentoj ta kem mundësinë që ta jap më të mirën time dhe t’i ndihmoj skuadrës”.