SHBA-ja sanksionon shtatë persona nga Ballkani Perëndimor, në mesin e tyre dy shqiptarë

Prishtinë | 11 Pri 2022 | 18:11 | Nga Ekonomia Online

Departamenti i Thesarit të SHBA-së ka shtuar në listën e sanksioneve shtatë persona nga Ballkani Perëndimor, përfshirë këtu dy shqiptarë.

Në listë janë shtuar ish-deputeti socialist i Shqipërisë, Aqif Rakipi, dhe biznesmeni nga Shqipëria, Ylli Ndroqi.

Po ashtu listës i është shtuar edhe ish-kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Nikola Gruevski, ish-drejtori i Departamentit për Siguri dhe Kundërzbulim i Maqedonisë së Veriout, Sasho Mijalkov, dhe ish-prokurorja në Bosnjë-Hercegovinë, Gordana Tadiq.

Po ashtu janë edhe Svetozar Maroviq dhe Arsim Saraliq.

“Ne i kemi ndërmarrë këto veprime në përgjigje të përfshirjes së këtyre ish-zyrtarëve në korrupsion të konsiderueshëm. Veprimet e tyre minuan sundimin e ligjit, institucionet demokratike dhe proceset publike në të dy vendet dhe gërryen besimin e publikut në qeveritë e tyre”, shprehet në një deklaratë për shtyp, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price.

Në arsyetimin e Departamentit të Thesarit për shtimin e Aqif Rakipit , është thënë se ai ka ndikime dëmtuese dhe destabilizuese në proceset politike në Shqipëri.

“Krimi i organizuar mbetet një kërcënim i rëndësishëm në Shqipëri dhe aktorët kriminalë mbeten me ndikim në politikën shqiptare, duke përdorur para dhe dhunë për të kanalizuar mbështetjen për kandidatët e preferuar”, thuhet në njoftimin e Departamentit të Thesarit. “Aqif Rakipi është një ish-deputet famëkeq nga Elbasani, i cili ka një ndikim dëmtues dhe destabilizues në proceset politike në Shqipëri. Grupe të shumta të krimit të organizuar në Shqipëri kanë ofruar para, dhurata ose premtime për vende pune ose favore në këmbim të votave për partinë e tyre politike të preferuar”.

E për Ndroqin thuhet se është një pronar mediash pasuritë e të cilit janë sekuestruar nga Qeveria e Shqipërisë për veprimtari të mëparshme kriminale.

“Ylli Ndroqi është një pronar mediash, pasuritë e të cilit janë sekuestruar nga qeveria shqiptare në vitin 2020 dhe 2021 për veprimtari të mëparshme kriminale. Ndroqi ka shfrytëzuar mediat që dikur i ka pasur nën kontrollin e tij për të ushtruar shantazh ndaj qytetarëve shqiptarë nëpërmjet kërkesave për para dhe blerjeve të reklamave në këmbim të ndalimit të publikimit të njoftimeve negative në media”, thuhet në njoftimin e Departamentit të Thesarit.

Të ngjashme