Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, u takua sot me ambasadorin Amerikan në Kosovë, Greg Delawie. Sipas një njoftimi shtypi, Hoxha e njoftoi Delawien për proceset aktuale në kuadër të agjendës evropiane të reformave dhe prioritetet kyçe që parasheh të realizohen në këtë periudhë.
Ministrja Hoxha dhe ambasadori Delawie, thuhet se vlerësuan bashkëpunimin e ngushtë të dy qeverive e në veçanti me Ministrinë e Integrimit Evropian, duke theksuar se “procesi i integrimit evropian është një proces horizontal, që ndërlidhet me të gjitha zhvillimet në vend duke i kontribuar qeverisjes së mirë, sundimit të ligjit dhe luftimit të korrupsionit”.
Ministrja Hoxha shprehu përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për të zhvilluar bashkëpunimin e mëtutjeshëm me Qeverinë Amerikane dhe njëkohësisht të ketë një koordinim sa më efikas ndërmjet projekteve të Qeverisë së Kosovës, BE-së dhe Qeverisë Amerikane si një ndër kontribuuesit më të mëdhenj për zhvillimin e vendit tonë. Kjo, pasi që koordinimi i mirëfilltë i kontribuon zbatimit të suksesshëm edhe të prioriteteve institucionale të Kosovës, ka theksuar Hoxha.
Nga ana e tij, Ambasadori Delawie uroi ministren Hoxha për detyrën e re dhe premtoi vazhdimin e bashkëpunimit tashmë të krijuar për t’i kontribuar sa më shumë forcimit të shtetit demokratik drejt integrimit në familjen evropiane.
Njëkohësisht, theksoi Ambasadori Delawie se Amerika është mjaft e përkushtuar që të ndihmojë Kosovën dhe gjithë rajonin e Ballkanit në këtë proces pasi që një Evropë sa më e bashkuar i kontribuon paqes dhe zhvillimit.