Shefja e OBSH-së për Kosovë: 90% të rasteve e kalojnë lehtë Coronavirusin, qëndroni në shtëpi

Prishtinë | 16 Mar 2020 | 19:01 | Nga Ekonomia Online

Isme Humolli, Shefe e Emergjencave të OBSH-së në Kosovë, ka dhënë detaje lidhur me coronavirusin e ri, Covid-19, që u shpall pandemi në tërë globin e që ka prekur edhe Kosovën.

Në një interviste në Info Magazine te Klan Kosovës ajo tha se ky virus është i panjohur.

“E vërteta është që Organizata Botërore e Shëndetësisë menjëherë ka lajmëruar se kemi të bëjmë me një shakatar të panjohur. Çdo shkaktar i panjohur e ngrit alarmin për një situatë emergjente. E mira në këtë situatë është që ky virus i takon familjes së koronavirusëve, që deri diku është e njohur pasqyra klinike. Por, viruset e kanë edhe anën tjetër që vështirë trajtohen dhe nuk ka trajtim specifik për këtë”.

“Është duke u punuar jashtëzakonisht shumë si në klinikë dhe në trajtim, po ashtu edhe në vaksinë”.

Humolli gjithashtu foli për kategorinë më të prekur nga coronavirusi.

“90% të rasteve nuk kanë nevojë të trajtohen – e kalojnë lehtë”.

“Problemi më i madh është tek pacientët që kanë disfunksion të mushkërive, të cilëve virusi u shkakton dëmtim të tërësishëm të mushkërive dhe kërkojnë një terapi mbështetëse respiratore më të theksuar”.

Shefja e Emergjencave të OBSH-së në Kosovë porositi të gjithë qytetarët që të respektojnë vendimet e qeverisë.

“Mesazhi im për të gjithë qytetarët është që ta respektojnë veten, të bashkëpunojnë me të gjithë neve dhe t’i përcjellin udhëzimet e qeverisë”.

“Ajo çka mund të bëjmë është të qëndrojmë në shtëpi dhe të mos dalim pa nevojë jashtë, t’i parandalojnë kontaktet me personat e tjerë dhe mundësisht t’i pastrojnë duart dhe të mbajnë higjienën, deri në një njoftim të radhës”.

Të ngjashme