Shëndetësia përballet me shumë vështirësi, përfshirë korrupsionin

Prishtinë | 08 Gus 2016 | 16:09 | Nga

Qendra për Hulumtim, Dokumentim dhe Publikim (QHDP) publikoi analizën e shkurtër mbi “Rekomandimet e politikave për kujdesin shëndetësor në Kosovë”.

Me këtë rast ishin të pranishëm përfaqësues të institucioneve qendrore dhe ata të shoqërisë civile.

Sipas kësaj qendre, këto janë të gjeturat kryesore:

Qëllimi përfundimtar i cilitdo sistem të kujdesit shëndetësor është të sigurojë se qytetarët e vet kanë qasje në cilësinë e kujdesit të nevojshëm për ruajtjen dhe përmirësimin e shëndetit të tyre. Burimet financiare të Kosovës dedikuar sistemit të kujdesit shëndetësor janë më të vogla se të cilitdo shtet tjetër ballkanik.

Sistemi kosovar i kujdesit shëndetësor ballafaqohet me shumë sfida që e frenojnë atë në arritjen e qëllimit përfundimtar të ofrimit të kujdesit cilësor dhe të qasshëm për qytetarët. Këto sfida përfshijnë kushtueshmërinë e kujdesit shëndetësor në Kosovë, ku rreth 50% e shpenzimeve për kujdesin shëndetësor paguhen nga xhepi, që paraqet një barrë shumë të rëndë për individët dhe familjet që kërkojnë shërbime shëndetësore.

Problem tjetër është cilësia e kujdesit shëndetësor ekzistues në Kosovë, duke nënvizuar nivelin e trajnimit dhe edukimit të punëtorëve shëndetësorë dhe disponueshmërinë e pajisjeve, si faktorë me ndikim negativ në sistemin shëndetësor.

Përpos këtyre, sistemi shëndetësor në Kosovë është joefikas dhe vuan nga një organizim i dobët.

Kosova po ashtu, ka probleme edhe me korrupsionin, ku praktika e të paguarit punonjësit shëndetësor në mënyrë “joformale” për të kaluar listën e pritjeve ose procedura të tjera për të marrë kujdes më të mirë, mbetet e pranishme. Problemi parësor me korrupsionin në kujdesin shëndetësor është se afekton mundësinë e njerëzve për qasje të barabartë në kujdes shëndetësor.

Rreth 50% e të gjithë kujdesit shëndetësor në Kosovë paguhet nga xhepi, që nënkupton se nuk është e mbuluar nga sigurimet. 13% nga të ardhurat e qytetarit të Kosovës shkojnë në kujdesin shëndetësor, gjë që i bënë edhe më të varfër. Në vitin 2014, Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar ligjin për Sigurime Shëndetësore, i cili parashihte themelimin e Fondit për Sigurime Shëndetësore. Më shumë se dy vite nga miratimi i ligjit, fondi ende nuk është themeluar. Në momentin që themelohet, Qeveria e Republikës së Kosovës duhet të sigurojë që fondi të ketë burimet adekuate të financimit.

Për shkak të cilësisë së dobët të kujdesit shëndetësor në Kosovë, shumë kosovarë zgjedhin të trajtohen jashtë vendit. Në vitin 2012, kosovarët shpenzuan 80 milionë euro në trajtimin shëndetësor jashtë vendit. Qeveria duhet t’i jap fonde të mjaftueshme Ministrisë së Shëndetësisë për ta mbajtur të rifreskuar me pajisje dhe për të siguruar disponueshmëri të zhvillimi të vazhdueshëm profesional për punonjësit e shëndetësisë. Ministria e Shëndetësisë duhet të fokusohet në zvogëlimin e joefikasitetit dhe në ngritjen e përgjegjësisë në institucionet publike të shëndetësisë.

Po ashtu, duhet të aplikohen dënime më të mëdha për doktorët dhe punonjësit e tjerë shëndetësor të cilët pranojnë ryshfet. Qytetarët duhet të jenë të vetëdijshëm se ku duhet të adresojnë ankesa për korrupsionin në shëndetësi duke filluar prej kujdesit shëndetësor profesional e deri te autoritetet relevante.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme