Parlamenti Studentor në bashkëpunim me Universitetin e Prishtinës, kanë organizuar për herë të parë Ditën e Studentëve, e cila sipas Statutit të ri është më 1 tetor, raporton Ekonomia Online.
Zëvendësministri i Arsimit, Arsim Ademit, tha se për të ngritur cilësinë në arsim, Qeveria dhe MAShT-i u kanë dhënë prioritet studentëve. Madje tha se hera e Ministrisë është gjithmonë e hapur për studentët.
“Kjo ditë na kujton një datë të rëndësishme, e cila në atë botë ishte një ringritje pas disa viteve. Por na dha një frymëzim për të vazhduar më tutje edhe angazhimin tonë të përgjithshëm për liri dhe pavarësi të vendit. Edhe Qeveria edhe Ministria e Arsimit e ka si prioritet ngritjen e nivelit të arsimit. Studentet nuk janë pa një vend në rolin e Qeverisë dhe jeni prioritet i joni. Ju studentë të dashur Ministrinë e Arsimit do ta keni gjithmonë përkrahë dhe mbështetës gjatë gjithë kohës, puna jonë ka qenë si në aspektin legjislativ por edhe atë praktikë për të ngritur nivelin e arsimit në përgjithësi”.
“Kemi shënuar përparim në shumë sektorë të arsimit siç është në arsimin e lartë. Kemi hartuar strategjinë e arsimit 2021-2026. Kemi nënshkruar marrëveshje me Shqipërinë për bashkëpunim në arsim. Në Qeverinë e Kosovës jemi të vetëdijshëm që praktika duhet të shkojë krahë për krahë me politikën. Ju siguroj që dera jonë është dhe do të jetë gjithmonë e hapur për të gjithë studentët”, ka thënë Ademi.
Avni Hajdarin, prorektor për Kërkime Shkencore, Projekte dhe Inovacion, tha se kjo ditë përkujton kontributin e studentëve për shtet-ndërtim.
“1 Tetori është një ditë me domethënie të veçantë, jo vetëm për studentet, por edhe për profesorët. Po kjo ditë do të kujtohet si ditë për kontributin e studentëve në shtet-ndërtimin e Kosovës. Universiteti i Prishtinës ka qenë një burim krenarie kombëtare, ky sukses është falë studentëve të cilët luftuan për të drejtat e tyre për rritjen e cilësisë së arsimit”.
“Sot më shumë se kurrë përballemi me ndryshime të cilat janë shumë të shpejta dhe si të tilla kërkojmë zgjidhje kreative dhe inovative. Jeni ata që do të udhëhiqni ndryshimet, rruga e dijes është një rrugëtim i vazhdueshëm dhe kërkon sakrifica. Jemi të bindur që studentët do të përdorin të gjitha mundësitë që të ngrisin nivelin e arsimit”, ka potencuar Hajdari.
Blerta Zeqiraj, kryetare e Parlamentit Studentor, theksoi se fuqia e rinisë qëndron në unitetin, përkushtimin dhe vizionin për një të ardhme më të mirë, raporton EO.
“Universiteti i Prishtinës u organizua si shtëpi kur u okupua nga regjimi serb. Këto ngjarje shënon fillimin e rezistencës qytetare. Data 1 Tetor ka domethënie të veçantë, është simbol i qëndresës. Ishte një kohë që studentët treguan që të drejtat e tyre janë domosdoshmëri”.
“Kam nderin që të jem këtu si kryetarja e parë e të qëndroj para aktivistëve të mëhershme”, ka theksuar Zeqiraj.
Përderisa anëtarët e Këshillit të Protestave të vitit 1997 u nderuan me mirënjohje për kontributin e dhënë për Universitetin e Prishtinës.