Sekretari i Nismës, Bilall Sherifi ka thënë se Albin Kurti është shndërruar në të kundërtën e atij që është paraqitur në opozitë, që prej kur është bërë kryeministër.
Sherifi ka thënë se shkarkimi i ambasadorëve, përfshirë edhe Nait Hasanin nga detyra e ambasadorit në Shqipëri, dëshmon për personalitetin e Kurtit.
“Që kur ka ardhur në pushtet Albin Kurti është shndërruar në të kundërtën e atij që paraqitej sa ishte në opozitë duke grumbulluar rreth vetes vetëm njerëz që i shërbejnë atij dhe i ka emëruar në pozita të larta shtetërore edhe persona që në kohë të vështira të popullit ishin në anën e kundërt të historisë”, ka shkruar Sherifi.
Ai ka thënë se Hasani është shkarkuar vetëm sepse nuk është instrument i Kurtit.
“Ndërkaq, vetëm për arsye se nuk është instrument i tij, Albin Kurti e shkarkoi Nait Hasanin nga detyra e ambasadorit të Kosovës në Shqipëri, edhe pse botërisht dihet se Nait Hasani ishte një ndër figurat më të rëndësishme të rezistencës kombëtare dhe pjesë e atyre që krijuan historinë moderne të Kosovës”, ka shkruar Sherifi.
“Shkarkimi i Nait Hasanin, me të cilin ka ndarë edhe tmerret nëpër burgjet serbe, dëshmon se për Albin Kurtin i mirë është vetëm ai i cili i shërben personalisht atij!”, ka shtuar ai.