Nisma për Kosovën do të vazhdojë të jetë në koalicion me PDK-në dhe AAK-në, por që në Kuvendin e Kosovës ajo do të përfaqësohet e vetme me grupin e saj parlamentar.
Kështu ka bërë të ditur për Gazetën Express, sekretari i Nismës, Bilall Sherifi. Sipas tij, Nisma do të vazhdojë të qëndrojë në koalicion por në Kuvend do ta ketë grupin me deputetët e tyre të cilët do të kenë qëndrim si parti për çështje të ndryshme.
“Do të përfaqësohemi si grup parlamentar në Kuvend. Ne do të vazhdojmë që të jemi në PAN, si dhe ta mbështesim Ramush Haradinajn për kryeministër të vendit. Por që në Kuvend do të përqafësohemi si grup i vetëm parlamentar, kjo është e natyrshme”, ka thënë Sherifi.
Tutje ai u shpreh se beson që PAN brenda një afati shumë të shkurtë do ta formojë Qeverinë e Kosovës në krye me Ramush Haradinajn për kryeministër.
Nisma për Kosovën ka njoftuar se do t’i ketë së paku tetë deputetë në Kuvend, por Sherifi tha se janë në pritje edhe të deputetit të nëntë.