Sheshi në Mitrovicë vazhdon të jetë i bllokuar

Prishtinë | 08 Gus 2016 | 17:54 | Nga

Në sheshin kryesor të qytetit të Mitrovicës rezulton se hapësirat publike vazhdojnë të jenë të zaptuara nga dyqane, lokale apo shitës ambulantë, ku shumë lokale me karrige e tavolina kanë uzurpuar trotuaret të planifikuar për kalimin e këmbësorëve të cilët po pengojnë lëvizjen e lirë të qytetarëve e sidomos në këta muajt të verës kur edhe fluksi i lëvizjes së qytetarëve është më  i madhe,  pikërisht me  ardhjen e  mërgimtarëve në Kosovë.

Këto konstatime kanë dalë në mbledhjen e Bordit të Drejtorëve, të cilën e kryesoi kryetari i komunës, Agim Bahtiri, e ku janë shqyrtuar edhe një varg temash të cilat ishin të natyrave të ndryshme si për realizimin e të hyrave vetanake për gjashtëmujorin e parë të vitit 2016, borxhlinjtë komunal dhe lejet e dhëna për shfrytëzim të hapësirave publike.

Kryetari i Komunës së Mitrovicës Agim Bahtiri ka kërkuar nga inspektorët që të marrin të gjitha masat që asnjë subjekt biznesor apo individual të mos cenojë hapësirat që janë në shërbim të qytetarit, e që pengojnë qytetarët të lëvizin lirshëm në rrugët e qytetit, të merren edhe masa ndëshkimore ndaj të gjithë subjekteve që ofrojnë shërbime në rrugën e këmbësorëve apo në hapësirat e gjelbra, deri me gjoba apo konfiskim të mallrave e artikujve që ata tregtojnë.

Sa i përket të hyrave vetanake, drejtori për Buxhet dhe Financa, Nysret Maxhera, ka thënë se megjithëse është shtuar inkasimi i të hyrave nga tatimi në pronë, duhet të vazhdohet me realizimin e nivelit më të lartë të inkasimit të mjeteve të planifikuara.

Kryetari Bahtiri kërkoi koordinim më të madh në mes të drejtorive për realizimin e planit të përgjithshëm komunal dhe të vazhdohet me publikimin e listave për të gjithë borxhlinjtë komunal.

Po ashtu kryetari Bahtiri ka kërkuar nga drejtori i Urbanizmit, Sami Zeka, informatë rreth lejeve të dhëna për shfrytëzimin e hapësirave publike, kurse nga drejtori i Inspeksionit, Naim Hajra, ka kërkuar që të respektohen më përpikëri lejet e dhëna për shfrytëzim të këtyre hapësirave.

DSC_0005.JPG

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme