Shifrat e fundit: NATO tregon sa trupa janë prezent në Kosovë

Prishtinë | 31 Mar 2022 | 18:08 | Nga Ekonomia Online

Në raportin vjetor të Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, bëhet e ditur se në Kosovë, sipas një statistike të Aleancës Veriatlantike të muajit nëntor të vitit të kaluar, janë prezente 3.770 trupa të NATO-s.

Sipas këtyre statistikave, në Kosovë operojnë trupa prej 28 vendeve anëtare të Aleancës-Veriatlantike në kuadër të KFOR-it për misione paqeruajtëse.

Italia, duke iu referuar të dhënave zyrtare të KFOR-it, është shteti anëtar me më së shumti trupa në Kosovë (638). Pas Italisë vjen SHBA-ja, me 635 trupa.

Vendin pasues pas SHBA-së për kah numri i trupave prezent nëpër territorin e Kosovës e zë Hungaria me 469 forca të armatosura.

Përveç SHBA-së, në Kosovë operojnë edhe trupa të fuqive të mëdha, sikundër janë: Gjermania me 68 trupa dhe Britania e Madhe me 35 sosh.

Në Kosovë në kuadër të misionit paqeruajtës ka trupa edhe të shteteve të rajonit, siç është Shqipëria me 25 trupa, Mali i Zi me një ushtar dhe Maqedonia e Veriut me 64 ushtarë.

Po ashtu, në kuadër të KFOR-it operojnë edhe trupa nga shtetet mos-njohëse të shtetit të Kosovës. Greqia ka 109 ushtarë në vend, derisa Moldavia 41 sosh, shkruan lajmi.net.

Nga KFOR-i kohëve të fundit kanë konfirmuar se nuk kanë marrë ndonjë sinjal për ndonjë kërcënim të mundshëm në Kosovë dhe se gjendja në vend është e qetë.

Të ngjashme