Nën patronatin e Presidentes së Kosovës, Justina Shiroka-Pula, është mbajtur festa tradicionale “Darka e Lamës”, ku është vënë në pah rëndësia e ruajtjes së kësaj tradite dhe vlerave që ajo përfaqëson.
Në fjalën e saj para të pranishmëve, Shiroka-Pula ka thënë se Darka e Lamës është një traditë që lidh tokën me njeriun, punën me mirënjohjen dhe shtëpinë me mikun.
Ajo ka rikujtuar se në traditën shqiptare, përfundimi i të korrave dhe mbledhja e bereqetit shënonin një moment të veçantë, kur familjet dhe fqinjët mblidheshin rreth një tryeze të përbashkët për të shprehur mirënjohjen për frytet e punës.
“Darka e Lamës është një traditë që lidh tokën me njeriun, punën me mirënjohjen dhe shtëpinë me mikun. Pas muajve të punës në ara, familjet dhe fqinjët mblidheshin rreth një tryeze të përbashkët për të shprehur mirënjohjen për frytet e punës”, ka thënë ajo.
Presidentja ka theksuar se bereqeti nuk përfaqëson vetëm frytet e tokës dhe mundin e bujkut, por edhe solidaritetin ndërmjet njerëzve.
“Bereqeti nuk është vetëm fryt i tokës dhe i mundit të bujkut, ai është edhe solidariteti ndërmjet njerëzve dhe zemra e hapur e shtëpisë”, ka deklaruar Shiroka-Pula.
Ajo ka folur edhe për rëndësinë e mikpritjes në traditën shqiptare, duke thënë se tryeza e shtruar dhe buka e ndarë me të tjerët janë shprehje e respektit dhe besimit.
“Në traditën shqiptare, shtëpia e të zotit është edhe shtëpia e mikut. Prandaj, tryeza e shtruar është shprehje e mikpritjes, ndërsa buka e ndarë me të tjerët dëshmon respektin dhe besimin ndaj njeriut. Pikërisht këtë vlerë e ruan Darka e Lamës”, ka thënë ajo.
Shiroka-Pula ka përmendur edhe vitin 2002, kur presidenti i atëhershëm Ibrahim Rugova e kishte shndërruar këtë traditë në nivel institucional.
Sipas saj, Darka e Lamës është simbol i falënderimit për tokën e Kosovës dhe njerëzit e saj.
Presidentja ka bërë thirrje për ruajtjen dhe vazhdimin e kësaj tradite.
“Le ta mbajmë gjallë Darkën e Lamës dhe vlerat që ajo përfaqëson: mirënjohjen, solidaritetin, mikpritjen dhe respektin për punën e njerëzve tanë”, shtoi Shiroka-Pula.