Hendeku i aftësive shfaqet për shkak të dallimeve midis aftësive që punëdhënësit kanë nevojë dhe kërkojnë, dhe aftësive të ofruara nga njerëzit në tregun e punës. Kur kjo ndodh, organizata nuk mund të rritet as nuk mund të jetë konkurruese sepse nuk mund të plotësojë pozitat e punës me punëtorë që kanë aftësitë, njohuritë, pra kapitalin e nevojshëm njerëzor për këto pozita.
Kohëve të fundit ky hendek i aftësive është bërë i dukshëm në vende të ndryshme të botës dhe po pengon rritjen e sektorit privat. As Kosova nuk është ndryshe. Pavarësisht shkallës së lartë të papunësisë, punëdhënësit ankohen se edhe nëse kanë një vend pune, ata nuk mund ta gjejnë personin e duhur për pozitën në fjalë dhe si rezultat ata përfundojnë duke ripublikuar vendet e lira të punës me shpresën se herën tjetër do të kenë kandidatë të tjerë (të aftë).
Pra hendeku i aftësive është hapësira midis asaj që punëdhënësit kanë nevojë dhe dëshirojnë që punëtorët e tyre të bëjnë, dhe atë që punonjësit janë vërtet të aftë për të bërë. Me fjalë të tjera, është hendeku midis kapaciteteve aktuale të organizatës dhe aftësive që organizata ka nevojë për të arritur qëllimet e saj.
Është shumë e rëndësishme qe të kemi informacion për të dyja anët e tregut të punës, kërkesës dhe ofertës, në mënyrë që qeveria dhe organet e tjera përgjegjëse të jenë në gjendje të ndërmarrin veprimet e nevojshme për reduktimin e këtij hendeku. Deri para disa viteve, nivelet e arsimit dhe vitet e arsimit janë përdorur si përfaqësues në matjen e nivelit të aftësive në një vend. Megjithatë, studimet kanë treguar se ajo që ka rëndësi në llogaritjen e nivelit të aftësive nuk është vetëm sasia e arsimit, vitet apo nivelet e arsimit, por edhe cilësia e arsimit.
Rrjedhimisht, një sondazh i ri filloi të përdoret nga Banka Botërore, e ashtuquajtura STEP Survey për të matur nivelin e këtij hendeku. Ky sondazh përbëhet nga sondazhet e firmave dhe familjeve. Nga ana e ofertës, ky studim shqyrton aftësitë që njerëzit në tregun e punës kanë, dhe gjurmon historikun e aftësive.
Nga ana e kërkesës, studimi shqyrton aftësitë që kërkohen nga firmat në tregun e punës. Në përgjithësi sondazhi STEP mbledh informata relevante për një vlerësimin më të mirë të hendekut të aftësive; sondazh i cili përfshin analizën e aftësive njohëse, socio-emocionale dhe aftësive të tjera që jane specifike për vendin e punës.
Në të kaluarën, hendeku i aftësive nuk ka qenë aq i gjerë dhe i dukshëm, por, me ndryshimet strukturore dhe teknologjike të ekonomisë, nevojat dhe kërkesat e organizatave kanë ndryshuar. Ekonomia ka ndryshuar fokusin nga aftësitë manuale në “aftës e ekonomisë së re”. Sot kjo zhvendosje ka filluar të krijojë këtë hendek të aftësive. Një shpjegim tjetër për krijimin e këtij hendeku shihet në faktin se krijimi i aftësive dhe njohurive në një ekonomi nuk mund të ndryshojë lehtë. Hapësirë e gjatë kohore si dhe një numër reformash politike janë kushte të domosdoshme për të ristrukturuar aftësitë në tregun e punës. Pra, të dyja kanë shtyrë drejt këtij hendeku të aftësive.
Ekzistenca e hendekut të aftësive në një vend ka pasoja të ndryshme duke filluar nga individi tek firma e deri në nivel kombëtar.
Në nivel individual, jozotërimi i aftësive të kërkuara në tregun e punës mund të ketë pasoja shumë të dëmshme. Një numër studimesh kanë treguar se shkathtësitë lidhen drejtpërdrejt me nivelin e të ardhurave. Këto aftësi janë shumë të rendësishme sepse ato janë një variabël shumë e rëndësishme kur analizohen variablat që ndikojnë në nivelin e të ardhurave. Kjo tregon se njerëzit që nuk posedojnë aftësitë e kërkuara nga firmat janë në disavantazh dhe si të tillë kanë tendencë që të fitojnë më pak se ata që kanë aftësitë e kërkuara.
Në nivelin e firmës, kandidatët në tregun e punës të cilët nuk kanë aftësitë e nevojshme (aftësi të tilla si të folurit e gjuhëve të huaja, aftësitë e zgjidhjes së problemeve) ndikon që këto firmat të mos jenë konkurrente në treg. Për më tepër, firmat që përballen më së shumti me një problem të tillë janë firma dinamike ose inovative. Këto firma zakonisht janë ato përdorin teknologji inovative dhe sjellin produkte dhe shërbime të reja në treg. Këto janë firma ndërkombëtare që ballafaqohen me konkurrencën ndërkombëtare, por në të njëjtën kohë janë ato që ofrojnë shumicën e vendeve të punës, veçanërisht në vendet në zhvillim. Megjithatë, këto firma kërkojnë aftësi fleksibile, aftësi që janë të ndryshme nga ato të kërkuara nga firmat vendore dhe më tradicionale. Pra, hendeku i aftësive ndikon që firmat dinamike të jenë më pak konkurruese, sepse produktiviteti dhe rritja e tyre është e kufizuar.
Në nivel kombëtar, hendeku i aftësive mund të pengojë zhvillimin ekonomik të vendit.
“Aftësitë e ekonomisë së re” që kërkohen nga firmat dinamike, janë shumë të rëndësishme sepse ekonomia globale është duke lëvizur nga prodhimi i mallrave dhe shërbimeve përmes ekonomisë tradicionale në atë përmes ekonomisë e re. Kjo ekonomi e re është ndërtuar mbi punën e firmave të tilla dinamike që kërkojnë këto aftësi. Prandaj, ekzistenca e një hendek të tillë të aftësive në vend pengon zhvillimin e ekonomisë. Gjegjësisht, pengon kalimin e ekonomisë nga ekonomia tradicionale tek ekonomia e re. Për më tepër, për shkak se kandidatët në një vend nuk kanë aftësitë e kërkuara nga këto firma ndërkombëtare dinamike, kjo kufizon firmat brenda vendit në kuptimin që ata nuk mund të ofrojnë më shumë vende pune. Pra hendeku i aftësive pengon krijimin e vendeve të reja të punës dhe ndal rritjen ekonomike.
Kosova po ashtu është duke përjetuar këtë hendek të aftësive. Përkundër shkallës së lartë të papunësisë, punëdhënësit nuk mund të plotësojnë vendet e punës sepse pretendojnë se kandidatët nuk kanë aftësitë për të cilat organizata ka nevojë.
Sipas një studimi të bërë nga Visar Hapçiu, niveli i kënaqësisë së punëdhënësve në lidhje me aftësitë e kandidatëve të tyre është shumë i ulët. Rezultatet e këtij studimi janë nxjerrë nga një sondazh me kompanitë e sektorit të shërbimeve, prodhimit dhe tregtisë në Kosovë. Rreth 50% e të anketuarve (punëdhënësve) kanë thanë se janë pjesërisht të kënaqur me aftësitë e kandidatëve, ndërsa rreth 30% nuk ishin shumë të kënaqur.
Studimi po ashtu analizoi hendekun e aftësive në Kosovë. Për të matur këtë hendek, autori i studimi kërkoi nga kompanitë që të vlerësojnë (nga 1 deri në 10) në bazë të rëndësisë së tyre për kompaninë një numër të aftësive dhe të tregojnë se sa jane në dispozicion këto aftësi në tregun e punës.
Bazuar në dallimin midis rëndësisë dhe ofertës së këtyre aftësive në treg, Hapçiu ishte në gjendje të nxjerrë nivelin e hendekut të aftësive. Rezultatet tregojnë se hendeku mesatar i aftësive në sektorin e shërbimeve është 1.41, në sektorin e prodhimit është 1.33, kurse në sektorin e tregtisë hendeku i aftësive është 0.91. Në përgjithësi, aftësitë që mungojnë në të gjithë sektorët janë aftësitë specifike të punës.
Një studim tjetër nga STIKK tregon se hendeku i aftësive ekziston edhe në sektorin e TIK në Kosovë. Edhe ky studim është i bazuar në sondazhe; të anketuarit janë kompanitë e TIK, ofruesit e arsimit në fushën e TIK dhe përgjegjësitë e politikave publike. Të anketuarit pohuan se kandidatët ka mungesë të aftësive të tilla si dizenjimi i uebsajteve, aftësi të zgjidhjes së problemeve dhe të komunikimit.
Sipas punëdhënësve, aftësitë specifike të punës janë vendimtare dhe aftësi të tilla nuk ofrohen në tregun e punës.
Për më tepër, studimet analizuan se cilat ishin shkaqet dhe efektet e një hendeku të tillë në Kosovë.
Rezultatet tregojnë se kompanitë konsiderojnë se shkaqet kryesore janë se sektori i arsimit ofron aftësi jo relevante ose ato aftësi që nuk kërkohen nga tregu i punës; mungesa e aftësive specifike të punës është një faktor tjetër; dhe mungesa e politikave të duhura nga qeveria që kanë për qëllim punësimin e të rinjve është shkaktar gjithashtu i rëndësishëm. Nga ana tjetër, të anketuarit konsiderojnë se hendeku i aftësive ndikon në efikasitetin, konkurrueshmërinë dhe fitimet e kompanisë për shkak të kostove më të larta.
Rrjedhimisht, Kosova vuan nga hendeku i aftësive dhe shkaqet e pasojat e një hendeku të tillë janë të njëjta me ato që janë raportuar në vendet e tjera. Megjithatë, Kosova duhet të ndërmarrë masa për zvogëlimin e këtijj hendeku në mënyrë që ekonomia e vendit të zhvillohet. Kosova duhet të ketë një kapital më të lartë njerëzor, i cili do të tërhiqte firmat dinamike, të cilat do të rrisin numrin e vendeve të punës dhe si rezultat do të ndihmonin në zhvillimin ekonomik.
Një alternativë për kapërcimin e hendekut të aftësive është hartimi i politikave arsimore që plotësojnë kërkesën në tregun e punës. Kjo do të përfshinte analizën e tregut të punës dhe ndryshimin e sistemit të të mësuarit në Kosovë. Me fjalë të tjera, largimin nga një sistem i fokusuar në libër dhe i bazuar në teste, drejt një mësim të bazuar në punë, që përfshin të mësuarit nëpërmjet praktikave, projekteve e kështu me radhë. Për më tepër, programet e reja të arsimit duhet të orientohen gjithashtu në ofrimin e aftësive që janë në mungesë; në vend që sektori të përqëndrohet vetëm në fusha të tilla si ekonomia, menaxhmenti dhe arsimi, programet e reja duhet të fokusohen në rritjen e numrit të njerëzve që studiojnë për shembull bujqësi.
Rrjedhimisht, këto programe të reja arsimore duhet t’ju mësojnë gjeneratave të reja aftësitë që kërkohen nga tregu i punës.
Një tjetër zgjidhje është më shumë një alternativë afatshkurtër. Kjo do të ishte rritja e numrit të trajnimeve të ofruara nga organizatat. Edhe pse organizimi i këtyre trajnimeve mund të jetë i kushtueshëm për organizatat, kjo do të rriste benifitet sociale sepse këto trajnime rrisin kapitalin njerëzor, por gjithashtu rritin aftësinë konkurruese të organizatës. Megjithatë, në mënyrë që të nxitin organizatat që të organizojnë këto trajnime, qeveria mund të ofrojë subvencione që do të mbulonin gjysmën e kostos së organizimit të trajnimeve të tilla.
Zgjidhja e tretë do të ishte krijimi i një baze të dhënash e cila përmban informacione të përditësuar në lidhje me nevojat e tregut të punës, me qëllim të informimit më mirë të qytetarëve në lidhje me atë që kërkohet më së shumti në treg. Kjo bazë e të dhënave do të ketë informacionet më të fundit në lidhje me tregun e punës bazuar në të dhënat e punësimit, vendet e mundshme të punës dhe trendet e pagave.
Prandaj, kur studentët duan të vendosin se çfarë të studiojnë, ata do të janë më mirë të informuar për atë që nevojitet në treg dhe ku janë shanset me të larta për t’u punësuar dhe do të dinë se çfarë aftësi kërkohen në tregun e punës. Kjo do të rriste përputhjen mes të diplomuarve dhe vendeve të lira të punës, por gjithashtu do të zvogëlonte hendekun e aftësive në vend.
(Autorja është studente e Universitetit Amerikan në Kosovë – RITK/AUK)