Sulmuesit Shkëlqim Demhasaj i ka mbetur vetëm edhe leja e FIFA-s për t’iu bashkuar Përfaqësueses së Kosovës.
Lejen shpreson ta marrë shpejt, për ta dhënë kontributin e tij te Kosova. Ai është i lumtur që do ta përfaqësojë Kosovën. Sulmuesi shtatlartë shpreson të shënojë sa më shumë gola, raporton Koha Ditore.
Demhasaj të enjten ka aplikuar për pasaportë të Kosovës dhe ka gjasa të mëdha që të jetë pjesë e Përfaqësueses për dy ndeshjet e fundit të Ligës së Kombeve.
Bashkë me Demhasajn të enjten në Konsullatën e Kosovës në Zuerich aplikoi për pasaportë edhe mbrojtësi shtatlartë i Zuerichut, Mirlind Kryeziu. Si Demhasaj ashtu edhe Kryeziu kanë gjasa të mëdha që të jenë pjesë e Kosovës për dy ndeshjet e muajit nëntor, atë më 17 nëntor në udhëtim ndaj Maltës dhe më 20 nëntor në Prishtinë kundër Azerbajxhanit.
“Shpresojmë që shpejt të pajisen me pasaporta dhe ne menjëherë do ta nisim procedurën në FIFA. Besojmë se Shkëlqimi, Mirlindi dhe Arjanet Muriqi do të jenë me ne në muajin nëntor”, ka thënë menaxheri i Përfaqësueses së Kosovës, Bajram Shala.