Shkëmbimet kulturore, shembull për dialogun Kosovë-Serbi

Prishtinë | 01 Qer 2018 | 10:40 | Nga

Në debatin “Kosova-Serbia: Kush jemi ne për njëri-tjetrin?”, që është mbajtur mesditën e së enjtes në Qendrën për Dekontaminim Kulturor në Beograd në kuadër të festivalit “Mirëdita, dobar dan!”, të pranishmit kanë shpalosur rrëfimet e tyre për luftën dhe kanë komentuar zhvillimet në prizmin që i shohin ato. Nuk ka pasur asnjë protestues, siç kishte të mërkurën në hapje të “Mirëdita…”.

Por një ditë pasi lideri i radikalëve serbë Vojislav Sheshel ka protestuar kundër mbajtjes së festivalit duke bërë thirrje se “tradhtia nuk do të lejohet”, ata që ishin fëmijë në luftë kanë kërkuar krejt tjetër gjë.

Bojan Elek nga pjesa veriore e Mitrovicës ishte 12-vjeç në luftë. Pavarësisht se tash punon për Qendrën e Beogradit për Politika të Sigurisë dhe është njohës goxha i mirë i rrethanave politike e i disponimit popullor në raport me Kosovën, ka thënë se e ka të vështirë t’i ikë naivitetit fëmijëror.

Në bazë të hulumtimeve që ka bërë organizata ku ai punon tani, del se 82 për qind e serbëve kurrë nuk kanë qenë në Kosovë, dy të tretat janë për vazhdim të dialogut midisi dy shteteve, por 84 për qind nuk janë që të njihet Kosova si shet.

“Numrat tregojnë se çfarë mund të jetë rezultati i dialogut”. Ky është një tregues i madh për të.

Normalizim marrëdhëniesh nëpërmjet dialogut nuk sheh as gazetari i “Kosovo 2.0”, Eraldin Fazliu. Pasi ka treguar se gjatë luftës familja e tij kishte përjetuar ikjen nga Kosova në Maqedoni, ka thënë se përderisa presidentët e dy vendeve flasin për marrëveshje finale, ata duhet të pyeten se çfarë lojërash janë luajtur deri më tash. Ka thënë se personat e pagjetur që janë rreth 1600 mbesin brengë e shoqërisë, sidomos e familjarëve të tyre.

Shpresoj që autostradat që lidhin vendet tona të mos kalojnë mbi varrezat masive të të pagjeturve”, ka thënë ai.

Jovana Prusina, aktiviste në Iniciativën për të Rinjtë, është e mendimit se dialogu politik duhet të kalojë në nivelin shoqëror e kulturor.

Edhe Emel Ajdini tash pesë vjet në kuadër të organizatës “Integra” është bashkorganizatore e festivalit “Mirëdita, dobar dan!”. Pasi ka treguar se gjatë luftës ishte nëntëvjeçare dhe fillimisht kishin frikë nga fqinjët serbë që ishin armatosur e më pas kishin ikur për në Maqedoni, Ajdini ka thënë se tash realiteti duhet të jetë tjetër.

Nën masa të rrepta sigurie, me kordonë policorë, edicioni i pestë i Festivalit ka vazhduar të enjten mbrëma me koncertin e ansamblit “Zánat”, ku bëjnë pjesë Adelina Thaçi-Meta, Albana Piperku, Arstina Kadiu-Kelmendi, Elida Kryeziu-Hoti, Diellza Sylejmani, të shoqëruara në piano nga Artan Hasani dhe Pranvera Hoxha.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme