Shkollat në gjendje të rëndë, komuna ndan 1.5 milion euro për renovimin e tyre

Prishtinë | 13 Jan 2023 | 12:52 | Nga Ekonomia Online

Me vite të tëra në objektet e shkollave publike të Prishtinës nuk është bërë asnjë investim. Kryesisht shkollat të cilat janë më urbane në Prishtinë me numër më të madh të nxënësve, në brendi janë në gjendje të mjerueshme. Një nga shkollat më të mëdha në Prishtinë “Ismail Qemaili”, në disa klasa kanë probleme elementare me ndriçim, banka të prishura , tualete të pa përdorshme.

Por nga viti i kaluar ka filluar ndryshimi i gjendjes nëpër disa shkolla publike në kryeqytet. Ndërsa në disa të tjera parashihen rinovime këtë vit.

Besiana Musmurati, drejtoreshë e Arsimit në Komunë e Prishtinës, në një intervistë për Indeksonline, ka treguar se me të marr mandatin i është dashur që si punë primare të merren me renovimin e shkollave.

“E kemi rrit buxhetin në 1.5 milion euro për vitin 2023, për herë të parë në Komunën e Prishtinës për renovime, duke e parë nevojën e madhe të cilën e kanë shpreh edhe prindërit”, tha ajo.

Sipas saj, prioritet mbeten renovimi i shkollave të cilat janë në gjendje më të keqe edhe ku ka më shumë nxënës.

Ajo po ashtu tha se prioritet i kanë dhënë edhe përmirësimit të rezultateve të testit PISA.

“Testet e Pisës na kanë tregu që fëmijët po kanë shumë problem me lexuar një tekst me kuptu edhe me shpjegu çka po lexojnë. Tu e pa këtë mangësi të madhe që e kemi në sistemin arsimor kemi intervenuar menjëherë. Kemi blerë libra të cilat fëmijët kanë qejf për ti lexuar”, tha ajo

Të ngjashme