Komuna e Prishtinës që nga përhapja e pandemisë ka kërkuar shkurtimin e procedurave të prokurimit për të ndihmuar në realizimin e projekteve kapitale.
Si shkak i procedurave të stërzgjatura, komunat gjatë pandemisë realizuan pak investime kapital.
Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik pas kërkesës së Komunë së Prishtinës ka shkurtuar procedurat e prokurimit vetëm për projektet e Covid-19, por që nga 15 qershori ky vendim është shfuqizuar.
E për këtë, nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Muhedin Nushi tha për Ekonomia Online se në rast se shkurtohen procedurat e prokurimit do të mundësohet që 70 për qind e projekteve të planifikuara për këtë vit të realizohen.
“Ne kemi kërkuar që nga muajin mars dhe më 16 mars Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik e ka marrë vendimin e parë kur janë shkurtuar procedurat e prokurorimit por që janë shkurtuar vetëm për nevojat e projekteve që kanë të bëjnë me Covid-19. Për fat të keq janë shfuqizuar dy vendimet”.
“Nuk janë në pyetje vetëm projektet e Covid-19 por edhe shumë projekte tjera kapitale të cilat kishin me ndikua në angazhimin fuqisë punëtore dhe kompanive të cilat e marrin këtë shërbim duke fuqizuar ekonominë. Ne insistojmë që procedurat tenderuese të shkurtohen që të mund të shfrytëzojnë deri 70 për qind të buxhetit të planifikuar për këtë vit për infrastrukturë. Në katër mujorin e parë asnjë prej komunave nuk ka realizua investime kapitale, është e kotë nëse shkojmë me procedura të stërzgjatura”, ka thënë Nushi.
Nushi tha se në rast se Qeveria ndryshon disa nene përmes Kuvendit, në gjashtë mujorin e këtij viti mund të realizohen këto projekte.
Ai potencoi se do të insistojnë në realizimin e këtij vendimi, por nëse dështon, komunat për këtë viti do të realizojnë vetëm 20 për qind investime kapitale.
“Qeveria duhet të ndikoj në ndryshimin e disa neneve përmes parlamentit, pas marrjes së vendimeve, shumë shpejt mund ta kemi vendim në shkurtimin e procedurave që në këtë gjashtë mujor e fundit për realizimin e projekteve kapitale”, tha ai për EO.
“Do të insistojmë përmes Asociacionit të Komunave që Qeveria të aprovoj lehtësimin e këtyre masave të prokurimit për realizimin e projekteve kapitale, në të kundërtën vështirë se secila komunë do të mund të realizoj 20 për qind në vitin 2020”, u shpreh Nushi.