Në takim me drejtorin e përgjithshëm të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës Dr. Curr Gjocaj, ekspertë nga fusha e mjekësisë klinike dhe sistemi informativ shëndetësor në Austri, prezantuan interesin e tyre për ta njohur nga më afër gjendjen ekzistuese në shëndetësinë kosovare dhe u diskutuan mundësitë për të bashkëpunuar përmes projekteve të ndryshme me interes për palën kosovare.
Vizita ishte në kuadër të vizitës së 25 ekspertëve austriakë në Kosovë, nga fusha të ndryshme përfshirë edhe mjekësinë, e organizuar nga Shoqata Austriako- Kosovare.
Drejtori Gjocaj prezantoi mënyrën e organizimit dhe të funksionimit të SHSKUK-së, si dhe e ritheksoi rëndësinë që donatorët e kanë për shëndetësinë në Kosovë, për shkak të buxhetit shumë të vogël për shëndetësi.
Ai prezantoi një përmbledhje të planit për projekte kapitale dhe nevojat për pajisje mjekësore të parapara për tri vitet e ardhshme për SHSKUK, dhe të njëjtin e ndau me vizitorët. Gjithashtu, u përmend që rëndësi shumë të madhe ka funksionalizimi sa më i shpejtë i sistemit informativ shëndetësor në Kosovë, posaçërisht tani kur mendohet të fillohet me aplikimin e sistemit të sigurimeve shëndetësore.
U diskutua për mundësinë e realizimit të projekteve të përbashkëta në fushën e detektimit të hershëm të kancerit, projekte këto në bashkëpunim me kujdesin primar.
Në vizitë klinikave të onkologjisë, radiologjisë dhe pediatrisë hemato-onkologjike, në QKUK, bashkë me Dr. Rinë Limani, koordinatore për donacione në QKUK, Mag. Elisabeth Campestrini (konsulent për shëndetësi) dhe përfaqësuesit e Shoqatës “Austriako Kosovare përfaqësuesit e klinikave, Dr. Ekrem Hyseni, Dr. Bujar Gjikolli, Dr. Rufadije Maqastena, u prezantua shkurtimisht gjendja ekzistuese në klinika, shërbimet të cilat ofrohen si dhe nevojat për pajisje mjekësore si dhe për trajnim të stafit. Në kontaktet në vazhdim do të diskutohet për projektet të cilat do t’i prezantohen donatorëve nga Austria.